Humbën në operacion motrën 16-vjeçare, vëllezërit e këngëtares së “Gjeniut” ende s’e pranojnë dot
Të gjithë e mbajnë mend rastin e Blerta Pepës, këngëtares 16-vjeçare të “Gjeniut të vogël”, e cila ndërroi jetë gjatë një operacioni në këmbë, historia e së cilës tronditi jo pak opinionin mbarëshqiptar vitin e kaluar. Vëllezërit e saj, Ermal Pepa dhe Landi Pepa kanë dëshmuar se ende nuk e pranojnë dot humbjen e motrës, duke rrënqethur me gjestin e tyre. Më shumë se një vit që nga humbja e Blertës, Landi dhe Ermali kanë menduar që të sjellin një këngë për engjëllin e tyre, nga produksioni i videove muzikore “CHILL PRO”. Ermal Pepa ka publikuar në Instagram intron e këngës, që titullohet “Si ta pranoj”, që flet për faktin se ata ende nuk janë mësuar me idenë se motra e tyre s’jeton më. Nga sekuencat e shpërndara, kjo këngë dhe ky videoklip tingëllojnë tejet prekës. Blerta Pepa, një artiste shumë e talentuar, pjesëmarrëse në “Gjeniun e Vogël”, ndërroi jetë në majin e vitit të shkuar, duke lënë pas dhimbjen dhe brengën e madhe tek familjarët e saj./Story.al