Humb jetën reperi i njohur, ra nga avioni teksa po xhironte klipin e ri

Një reper kanadez është ndarë nga jeta pasi u rrëzua nga krahu i një avioni, ndërsa filmonte një video të guximshme për klipin e ri muzikor. Jon James McMurray, 34 vjeç, vdiq në mënyrë tragjike në British Columbia të shtunën. Reperi i cili njihet thjesht si Jon James, po bënte një lëvizje të rrezikshme në krahun e aeroplanit kur papritur u rrëzua. Ai kishte një parashutë në atë moment, por nuk pati kohë ta tërhiqte, sepse qëndroi në krahun e aeroplanit për një kohë të gjatë. Në momentin kur e lëshoi aeroplanin Jon ishte shumë afër tokës dhe u përplas për vdekje. Ekipi i tij i menaxhimit tha se reperi ishte përgatitur me muaj të tërë për këtë gjë dhe ishte trajnuar “intensivisht”. Trupi i Jon u gjet në një fushë nga fermerja Sydney Fox. Ajo tha për “Global News” se e dëgjoi avionin duke fluturuar sipër shtëpisë së saj vetëm pak çaste para se të shihte reperin e pajetë, shkruan IconStyle. Jon fillimisht ishte një skiator profesionist, por e ktheu fokusin e tij në muzikë pas një aksidenti me ski disa vite më parë.