Hoxha i Prizrenit fyen flamurin kombëtar: Kjo është leckë (VIDEO)
Vijon të tërheqë vëmendjen, Mazllam Mazllami, një hoxhë nga Prizreni. Ai u bë i njohur gjerësisht kohët e fundit pasi besimtarët i dhuruan një makinë Mercedes, mjaft luksoz me rastin e daljes në pension. Së fundmi ajo që ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale është një video e publikuar prej tij duke fyer flamurin kombëtar.
Në fakt videoja është regjistruar 4 muaj më parë, por ka marrë vëmendje së fundmi pas sulmit fizik ndaj gazetarit Valon Syla që ka kritikuar sjelljen e hoxhës. Në këtë video ai u bën thirrje myslimanëve që të mos e konsiderojnë të rëndësishëm flamurin kombëtar.
“Kjo është arrnë, leckë, bezë. Këta kur e kemi qitë për 28 Nëntorin… Edhe mos me qitë hiç, kurrgja s’bahet kijameti. Populli ynë, populli shqiptar janë myslimanë 80%. E njohim na paganizmin çka është. Na nuk adhurojmë shqiponja, nuk adhurojmë zogj”, – thotë hoxhë Mazllami. Për të, të padenjë janë edhe dëshmorët e kombit, përveç atyre që “janë dëshmorë të Allahut”.
“Shehid nuk bidet qysh po thotë dikushi – plot shehidë jemi ba, është mbushë Kosova dëshmorë… E lus Allahun që këta që na kanë ra dëshmorë, ishalla janë dëshmorë të Allahut. Se na që i shkruajmë dëshmorë e ju vnojmë pllakata mas 50 vjete krejt jau thejmë”, – thotë Mazllam Mazllami.
“Edhe pse është himni të gjithë të bashkuar rreth flamurit, edhe me u bashku krejt rreth flamurit, me qet flamur në xhenet a hyjmë?”, – shton ai.
Makina luksoze që hoxhë Mazllam Mazllami shkaktoi reagime. Një prej tyre ishte gazetari Valon Syla që e komentoi me ironi dhe humor këtë në rrjetet sociale. Sipas tij prijësit fetarë të myslimanëve në vend po duken si “njerëz të showbizit”.
Por në fund të ditës, gazetari u sulmua brutalisht në Prishtinë nga tre persona sapo kishte dalë nga një emision televiziv. 3 të rinjtë u arrestuan brenda 24 orësh dhe pranuan se kritikat e Sylës për hoxhën ishin motivi i tyre. madje ata nuk kanë shprehur pendesë për dhunën ndaj gazetarit.
Përpara disa vitesh hoxha nga Prizreni ka qenë i akuzuar për thirrje për rezistencë dhe për nxitje për kryerjen e veprave terroriste. Ai dhe disa imamë të tjerë dyshoheshin se kishin nxitur disa persona të shkonin në Siri për të luftuar. Megjithatë në fund të këtij procesi, Mazllami u shpall i pafajshëm. ©LAPSI.al