Horrori më i mirë i dekadës: Gjithçka duhet të dini për filmin që publikohet natën e Krishtlindjeve
Nëse jeni adhurues të filmave horror, jeni në artikullin e duhur! Por edhe nëse jo, jemi të bindur që kurioziteti për t’u njohur me filmin më të mirërealizuar horror do t’ju bëjë që ta shikoni “Nosferatu”. Ndaj, ne premtojmë se nuk do të zhgënjeheni!
“Nosferatu” është një film historik horror, një nga filmat më të hershëm dhe më me ndikim në historinë e kinemasë. I drejtuar nga F.W. Murnau dhe i publikuar në 1922, ky film gjerman mbetet një klasik i zhanrit horror.
Rikthimi i filmit gjatë Krishtlindjeve
Ndërsa versioni origjinal gjerman i filmit është publikuar në vitin 1922, një version më i përshtatur, por aq magjepsës, pritet të publikohet mbrëmjen e Krishtlindjeve, 25 dhjetor 2024.
Përmbledhje e filmit:
Gjithçka nisi nga romani i Bram Stoker-it “Dracula” i vitit 1897. “Nosferatu” është një histori gotike e obsesionit midis një gruaje të re të përhumbur dhe vampirit të tmerrshëm të magjepsur pas saj, duke shkaktuar tmerre.
Ashtu si filmi origjinal, “Nosferatu” ndjek agjentin e pasurive të paluajtshme Thomas Hutter (Hoult), i cili ndeshet me Kontin misterioz dhe të kobshëm Orlok (Skarsgård), kur ai udhëton në kështjellën e Kontit për ta ndihmuar atë në blerjen e një shtëpie. Sjelljet shqetësuese të Hutter-it e bëjnë atë të besojë se Orlok është diçka tjetër përveçse njerëzore.
Hutter zbulon se vampiri e ka ndjekur përsëri në qytetin e tij në Gjermani dhe kërkon ndihmë për të kuptuar dhe mposhtur vampirin. Orlok gjithashtu ka një lidhje obsesive të mbinatyrshme me gruan e Hutter, Ellen (Lily-Rose Depp).
Ndërsa versionet e mëparshme të “Nosferatu” kanë qenë të përqendruara te Thomas Hutter, risia qëndron këtë herë te përqendrimi tek Ellen e Depp dhe lidhja e saj intensive dhe e pazakontë me Orlok.
Pra, kemi një vampir të “dashuruar” me një grua dhe bashkëshortin e kësaj të fundit që duhet të përballet me të. Le të themi se bëhet fjalë për një film horror që do t’ju mbajë të “gozhduar” para ekranit, duke mos zbuluar më shumë detaje.
Kasti i aktorëve dhe kritikët:
Referuar dhe versionit origjinal, kastit të aktorëve apo trailer-it të publikuar, duhet thënë se pritshmëritë nga adhuruesit e filmave horror janë mjaft të larta.
Kasti kryesor i Nosferatu përfshin Bill Skarsgård, Nicholas Hoult, Lily-Rose Depp, Aaron Taylor-Johnson, Emma Corrin dhe Willem Dafoe.
Me regji nga Robert Eggers, i cili është i njohur për qasjen e tij unike ndaj horrorit dhe tmerrit, duke përdorur atmosferën dhe kontekstin historik për të intensifikuar natyrën e frikshme të filmave të tij, deri më tani vlerësimet ndaj filmit kanë qenë të shkëlqyera.
Reagimet dhe komentet e hershme nga shfaqjet paraprake të “Nosferatu” kanë dhënë vlerësime të larta për regjinë, aktorë, realizimin dhe për filmin në tërësi.
Anabelmagazine