Horror në Romë/ Foshnja e porsalindur gjendet e vdekur mes shkurreve, 100 metra më larg gjendet trupi i një gruaje në një qese të zezë

Trupat e pa jetë të një foshnje të porsalindur rreth gjashtë muajshe dhe të një gruaje janë gjetur pasditen e së shtunës në Villa Pamphili, një prej hapësirave të mëdha të gjelbra në Romë. Foshnja ishte vendosur pranë një shkurreje, në zonën me bimësi afër Fontanës së Giglit, në anën e vilës që përballet me rrugën Leone XII.

Rreth 100 metra më larg, më vonë u zbulua trupi i gruas i mbështjellë në një qese të zezë. Trupi i saj ishte në gjendje dekompozimi, ndryshe nga ai i foshnjës.

Gjetja e trupit të foshnjës

Hetimet nisën pasi disa kalimtarë rreth orës 16:00 njoftuan policinë pasi vunë re trupin e foshnjës. Brenda pak minutash, stafi i emergjencës arriti në vendngjarje dhe tentoi ta ringjallte foshnjën, por përpjekjet ishin të kota pasi foshnja kishte ndërruar jetë. Zona u rrethua për t’i mundësuar hetuesve shkencorë të kryejnë ekzaminimet dhe të kërkojnë elementë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Në vendngjarje shkoi edhe prokurori Antonio Verdi, i cili nisi procedurat duke i besuar hetimet Njësisë Mobile. Sipas një vlerësimi të parë nga hetuesit, foshnja ka rreth gjashtë muaj dhe ka ngjyrë të çelët lëkure. Për shkaqet e vdekjes përgjigjet do t’i japë mjeku ligjor, edhe pse nga një ekzaminim i jashtëm janë vërejtur shenja që përputhen me trauma, natyra e të cilave do të verifikohet më tej.

Hetimet

Nuk përjashtohet asnjë pistë, përfshirë edhe atë të një lidhjeje të mundshme mes viktimave. Hetuesit po kontrollojnë kamerat e sigurisë në zonë me shpresën se mund të kenë filmuar personin apo personat që kanë vendosur të heqin qafe foshnjën dhe gruan.

tpz.al