Historiani: Si Zogu bleu një vilë 3 milionë dollarëshe në SHBA!
Historiani Marenglen Kasmi i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare Tv tha se 160 kilogramët e arit që pati Zogu me vete kur u largua nga Shqipëria të përkthyera në dollarë bëjnë 12.3 milionë dollarë me kursin e atëhershëm. Disa vite pas arratisjes nga Shqipëria, thotë Kasmi në vitet ‘51-’52 Zogu bleu një vilë 3 milionë dollarëshe në SHBA.
“Këto 160 kg ar që mori Zogu kushtonin 12,3 milionë dollarë amerikanë. Pra kjo është një shumë e pranueshme edhe në logjikë të parave që ta ketë pasur. Nëse i referohemi mënyrës së jetesës së Zogut më pas, por edhe dokumentacioneve të tjera, del që vitet ‘51-‘52 Zogu bleu një vile 3 milionë dollarëshe në SHBA. Kur blen një vilë që ka këtë kosto sigurisht që të lë të mendosh që ka të paktën edhe njëherë kaq mënjanë për të jetuar. Kështu që 12.3 milionë dollarët e asaj kohë nuk janë pak. Nëse do t’i referoheshim kursit të sotëm do të ishin rreth 262.8 milionë dollarë.”, tha Kasmi për DritareTV./K.C/dritare.net