Historia moderne e “Romeos dhe Zhulietës” në Verona, çifti dashurohet gjatë izolimit

Një çift italian ka rënë në dashuri me njëri-tjetrin gjatë izolimit në qytetin e Veronës.

Ishte një dashuri me shikim të parë nga ballkonet e pallateve mes Michele D’Alpaos, 38 vjeç dhe Paola Agnelli, 39 vjeç. Gjithçka ndodhi kur ata dolën për të dëgjuar muzikë në orën 18:00, një zakon i përditshëm tashmë në Itali.

Muzika live ofrohej nga motra e zonjushës Agnelli, një violiniste profesioniste që jeton me të. Ajo që kishte zgjedhur të luante atë ditë ‘We Are the Champions’ nga grupi Queen, teksa fqinjët duartrokisnin.

Paola tha: “Dola në ballkon të shikoja motrën teksa luante me violinë dhe pashë Michele në ballkonin përballë nesh. E kuptova se ishte vëllai i një mikeshës sime dhe thashë ‘çfarë burri i bukur’”.

Paola Agnelli

“Kur mbaroi muzika, mora një mesazh në Instagram. Ishte nga Michele. Ai shkruante: Mund të shkruaj një libër të titulluar ‘Dashuri në kohët e koronavirusit’”.

“Atë natë i shkruajtëm njëri-tjetrit deri në orët e para të mëngjesit. E kuptuam se ndanim të njëjtat vlera dhe se ato do ishin baza solide për një marrëdhënie”.

Michele D’Alpaos

Për t’i treguar  dashurinë e tij, Michele D’Alpaos ngriti një flamur të madh në katin e sipërm të ndërtesës ku kishte shkruar ‘Paola’  mbi të dhe fqinjë kishin dalë të gjithë në ballkone për të qenë dëshmitarë të dashurisë së tyre.

Paola tha: “Ai organizoi një surprizë të madhe për mua duke shkruar emrin tim në një çarçaf dhe duke e varur në ballkon –më tërhoqi shumë ky gjest. Michele di si ta përkëdhelë shpirtin tim me fjalët e tij të ëmbla”.

Dhe një fqinj i katit të tretë, i cili është edhe DJ, ka pranuar t’i kushtojë një këngë çdo ditë çiftit.

Çifti, të cilët janë të dy të pamartuar, kanë jetuar përballë njëri-tjetrit për pjesën më të madhe të jetës së tyre, por asnjëherë nuk janë takuar.

Ata kanë vendosur mos të takohen derisa karantinimi të përfundojë.