HISTORIA E PLOTË/ Noizy darkon me ish-menaxherin e “Babastars” që e plagosi me armë, si u pajtuan gjakrat

Albert Krasniqi, ish-menaxheri i grupit “Babastars”, i njohur edhe si krahu i djathtë i Getoar Selimit, më në fund del hapur se i ka prishur marrëdhëniet me grupin. Jo vetëm kaq por ai është bërë pjesë e krahut kundërshtar, Noizyt me të cilin ka darkuar mbrëmë në Prishtinë. Brenda një viti që kur Alberti e qëlloi me armë zjarri Noizy-n duke e plagosur në këmbë, ata jo vetëm që janë pajtuar por janë bërë dhe shumë miq. Kujtojmë që Krasniqi dhe reperi Noizy, u përfshinë në sherrin masiv mes dy grupeve rivale “Baba Stars” dhe “OTR” më shumë se një vit më parë në Prishtinë. Por mesa duket ata e kanë hedhur pas të shkuarën dhe kanë shijuar një darkë së bashku, pasi në një foto të postuar nga pronari i një diskoteke, duken të buzëqeshur në tavolinë pranë njëri-tjetrit. Kujtojmë që Albert Krasniqi doli publikisht kundër themeluesit të“BabaStars””, Getoar Selimit, duke e akuzuar atë se e kishte kthyer në monopol punën e grupit, duke lënë pas dore disa nga reperat. Pas kësaj Krasniqi njoftoi se do të largohej nga grupi por nuk dihet si e kanë pritur anëtarët e “Baba Stars” këtë lëvizje të ish-menaxherit të tyre.

1 vit të pajtuar pasi baballarët e Noizy-t dhe Albert Krasniqit i dhanë besën njëri-tjetrit

Vetëm pak ditë pas përplasjes me armë mes dy grupeve të reperave, OTR në Shqipëri dhe “Babastars” në Kosovë, kujtojmë se u vendos paqja para një viti gjatë takimit në Kukës të babait të Noizyt, Bashkimit me babain e Albert Krasniqit, Skënderit. Story.al ju sjell historinë e plotë të ngjarjes kur dy baballarët vendosën të sheshonin konfliktin dhe t’i jepnin besën njëri-tjetrit, pas deklaratave se artistët nuk pranonin faljen. Kujtojmë që nga përleshja me armë në qendër të Prishtinës mes grupit të reperave “OTR” dhe “Babastars” pati dhe të plagosurit e saj, pikërisht Rigels Rajkun (Noizy-n) dhe mikun e tij, Denis Hajri (Varrosin). Të arrestuarit e kësaj ngjarjeje ishin Ylber Abdullahu (Cozman), vëllai i tij Ymer Abdullahu dhe miku i tyre Albert Krasniqi. Por për të mos agravuar konflikti më tej, kanë qenë baballarët ata që kanë hedhur hapin e pajtimit të gjakrave me një takim burrash, që e dokumentuan me foto. Ky gjest burrëror nga Skënderi, babai i Albertit dhe Bashkimi, babai i Noizyt, u dha fund thashethemeve e spekulimeve të përditshme në mediat online, se lufta sapo kishte nisur mes dy grupeve. Sipas Bashkimit, babai dhe njëkohësisht menaxheri i Noizy-t, u vendos Kukësi si pikë takimi, ku të dyja palëve u duhej të udhëtonin për të mbërritur aty, pra larg dhe larg qyteteve të banimit Durrësit (ku jeton Noizy) apo Prishtinës (ku jeton Alberti). Sipas tij nuk ka rëndësi kush e kërkoi i pari takimin, por e rëndësishme është që në mënyrë të qytetëruar u ra dakord për një marrëveshje pajtimi, pasi asnjëra palë e as tjetra nuk janë persona të konfliktit, dhe në radhë të parë u intereson jeta e fëmijëve para kapriçove kalimtare”. Sherri mes reperit nga Shqipëria, Rigels Rajku, i njohur si Noizy dhe atij nga Kosova, Ylber Abdullahu, i njohur si Cozman, bëri bujë duke vënë në pikëpyetje shembullin që përcjellin tek të rinjtë reperat e sotëm. Në përleshjen e armatosur, u përfshinë edhe persona të tjerë, miq të Noizyt, por edhe të Cozman. Ngjarja mori përmasa të mëdha, të cilat realisht asnjë palë nuk do të donte t’i merrte. Ata që u ndjenë më keq pas kësaj historie, padyshim janë prindërit, që megjithatë edhe në këtë rast gjetën forcë e kurajën për t’i qetësuar gjakrat dhe për të bërë paqe. Në Kukës u takuan bashkërisht familjarët e burrat e fisit të Albert Krasniqit dhe ata të Noizyt, për t’i dhënë fund me kaq përleshjes së vitit në Prishtinë për të shmangur ndonjë vetëgjyqësi. Sipas mediave të Kosovës personi që ka arritur të sqarojë mosmarrëveshjen dhe të qetësojë “gjakrat” mes palëve, është miku i afërt i Noizyt, i njohur si pronari i një diskoteke të njohur në Kosovë. Mesa duket i njëjti pronar vazhdon të kurojë marrdhënien e tyre, siç e shihni në foton e darkës së tyre.