Historia e Mary Kay Letourneau, mësueses që përdhunoi dhe u martua me nxënësin 13-vjeçar

Mary Kay Letourneau, mësuesja e cila u bë e famshme për faktin që përdhunoi një nxënës 13-vjeçar, është ndarë nga jeta si pasojë e kancerit, në moshën 58-vjeçare që para 3 viteve, por historia e saj është mjaft interesante, ndaj po e rikthejmë sërish.

Lidhja e saj ndonëse asokohe u cilësua si e çuditshme, por romantike, përkoi me një fiksim që e çoi Mary-n në burg dhe pasi shleu dënimin dhe u lirua, ajo u martua me nxënësin e saj, Vili Faulauu.

Ata të dy kryen marrëdhënie seksuale për herë të parë kur Mary ishte 34 vjeç dhe Vili, 13. Çifti këmbënguli se dashuria e tyre ishte me konsensus të plotë dhe se ishin marrëzisht të dashuruar me njëri-tjetrin, ama, nuk mund të mohohet se Mary përdhunoi një të mitur. Ngjarja daton në vitin 1998, kur gjërat nuk shiheshin nën lupën e moralit dhe legjislacionit që është sot dhe media nuk e cilësoi Mary-n si një grua që përdhunoi një të mitur, por e trajtoi ngjarjen si një dashuri të pakuptuar, duke iu referuar asaj si një dashnore tragjike. Shumë revista shkruan për të, ndërkohë që Mary mori një famë shumë të madhe, sidomos pasi historia e saj u publikua në reivstën “People”.

Mary ishte mësuese në Seattle, Washington kur u takua me Vili-n, i cili ishte nxënës në klasën e 6. Ata nisën marrëdhënien e tyre seksuale qysh në vitin 1996 dhe nga ky raport, Mary (34 vjeç) dhe Vili (13 vjeç) lindën 2 vajza.

Më pas, ajo u arrestua për përdhunim të gradës së dytë, duke marrë një gjykim të shkurtuar dhe një dënim prej 3 muajsh dhe pas 7 vitesh, u rikthye sërish me akuzën se kishte thyer ligjin për të mbajtur distancë nga Faulaau.

Pasi u lirua nga burgu në vitin 2004, ajo sërish e theu ligjin dhe u rikthyen një vit më vonë në sallën e gjykatës. Ajo dhe Vili u martuan dhe megjithëse nuk pritej, patën një martesë afatgjatë.

Sigurisht, i gjithë sfidimi i ligjit dhe fiksimi me Vili-n e kishte një arsye: Mary vuante nga çrregullimi bipolar (u diagnostikua më vonë), por historia e saj e dashurisë ngjalli një kuriozitet të madh te publiku.

Narrativa ishte e qartë: Mary, një grua pasionante u rrëmbye nga dashuria dhe s’mbajti dot frerët e vetëkontrolit. Por, pas velit të magjepjes që e shoqëroi me dekada marrëdhënien e tyre, kishte edhe disa zëra që e kundërshtuan këtë raport, duke e konsideruar narrativën si “të çmendur”, por nga ana tjetër, Mary thoshte se nuk e dinte se kishte kryer një krim që kishte bërë seks me Vili-n.

Sigurisht, në ditët e sotme mund të pretendohet edhe për një mosbarazi gjinore mes përdhurnimeve që u ndodhin vajzave dhe djemve të mitur, ku rastet e këtyre të fundit, megjithëse mbeten po aq traumatike dhe të rënda, sërish nuk marrin vëmendjen e duhur.

Herë pas here, diskutohej edhe ndikimi i madh psikologjik që pati abuzimi, përdhunimi dhe marrëdhënia te Vili Fualaau, i cili ishte thjesht një nxënës në klasën e gjashtë, megjithatë sërish dominoi narrativa se një grua me tipare delikate ra në dashuri në momentin e gabuar, me personin e gabuar.

Ajo dhe Vili i dhanë fund martesës së tyre në vitin 2019 dhe sipas të afërmve të saj, ish-mësuesja vijonte ta konsideronte martesën si një histori e mrekullueshme dashurie.

Anabelmagazine