Historia e dashurisë “skandaloze” së Jane Birkin dhe Serge Gainsbourg

Jane Birkin u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare, në shtëpinë e saj në Paris dhe bota humbi një yll. Ajo shquhet për talentin e saj në muzikë, në aktrim, si dhe për faktin që frymëzoi çantën ikonike Birkin, nga Hermès. Por, një vëmendje të jashtëzakonshme ka tërhequr gjithnjë historia e saj me Serge Gainsbourg.

Jane ishte muza e tij dhe shumë shpejt, këtë e mori vesh e gjithë bota. Gjithsesi, Jane, me stilin bohem dhe talentin e saj, gdhendi emrin e vet në histori. Emri i saj u lakua shumë pas marrëdhënies me Serge. Çifti kreativ dhe magjepsës tejkaloi menjëherë kufijtë e Francës dhe pushtoi të gjithë Europën.

Dashuria e tyre lulëzoi në fund të viteve ’60. Jane kishte një vlerësim sublim për partnerin dhe siç është shprehur më parë: “Ai ishte një njeri i madh. Unë isha thjesht e bukur”. Ata të dy ishin përkufizimi i një çifti bohem, të gjallë, të shkujdesur, që e jetonin jetën sipas dëshirës së tyre.

Jane dhe Serge u njohën në xhirimet e filmit francez “Slogan”, me regji të Pierre Grimblat, në vitin 1968. Asokohe, Jane sapo ishte ndarë nga kompozitori John Barry dhe ende ishte duke marrë veten nga dështimi i martesës. Jane nuk dinte asnjë fjalë frëngjisht, por ia doli ta rrëmbente rolin.

Më pas, në një darkë të organizuar për kastin e filmit, Birkin e mori zvarrë Gainsbourg që të kërcenin bashkë në pistën e vallëzimit. Pasi protestoi fillimisht, Serge u dorëzua dhe jo vetëm kërceu në pistë, por edhe në club më vonë. Ata, të dehur, shkuan në dhomën e hotelit të Serge dhe fjetën. Jane u zgjua në mëngjes, për ta parë Serge teksa flinte dhe për të përjetuar sipas saj, një prej mbrëmjeve më romantike.

Nga një vallëzim nisi rrugëtimi ekip i çiftit dhe u krijua një nga ato dashuri që s’para shuhen nga harresa që sjell koha. Serge dhe Jane krijuan një marrëdhënie poet-muzë, e cila mbi të gjitha bazohej në një miqësi të bukur. Disa muaj më vonë, në vitin 1969, ata kënduan së bashku një prej këngëve më eksplicite të asaj kohe “Je T’aime,…Moi Non Plus”.

Kënga u shoqërua me rënkime nga vokali i Jane dhe menjëherë ngjalli polemika, duke u ndaluar nga Vatikani, në Britani dhe më pas, në vende të tjera. Ndërsa në Francë, luhej pas orës 23:00. Por, e gjitha kjo e ushqeu popullaritetin e këngës, e cila u bë mjaft e famshme në shumë vende të botës. Birkin tha se Gainsbourg është shprehur se në fakt, Papa, luajti rolin e marketuesit të tyre më të madh.

Një ndër thashethemet që u përhapën për këngën, ishte se çifti e kishte regjistruar me mikrofonë poshtë krevatit të tyre, por Serge, i buzëqeshur, i mohoi zërat, por e cilësoi këngën si “më të mirën e dashurisë”.

Ata u dashuruar kokë e këmbë me njëri-tjetrin dhe sipas Jane, Serge i lehtësoi gjithë dhimbjen që ajo pati nga martesa e John Barry, ndërsa ajo e ndihmoi që të kapërcente lidhjen e dështuar me Brigitte Bardot.

Në vitin 1971, lindi Charlotte, vajza e tyre dhe kjo e pushtoi Serge me ndjesi atërore.

Por, Serge dhe Jane patën edhe një marrëdhënie të ndërlikuar. Ata ishin ndoshta pak më dramatikë se njerëzit e zakonshëm. Ata u ndanë në vitin 1980, për shkak të varësisë së Serge ndaj alkoolit dhe faktit që ai e dhunonte.

Por, ajo mbeti muza e tij dhe për vite me radhë, Serge shkroi për të deri në vdekje. Edhe kur Jane lindi vajzën e tretë, me të dashurin e saj Jasques Doillon, Serge i dërgoi dhurata.

Vdekja e Serge, në vitin 1991, preku thellë të gjithë familjen Birkin, duke nisur që nga Jane, vëllai i saj, por edhe tre vajzat e artistes. Ajo e theksonte me krenari se ndonëse dashuria nuk funksionoi, sërish miqësia e tyre vijoi deri në ditën e vdekjes së tij.

“Ai më telefonoi kur isha në Londër, për të më thënë se më bleu një diamant të madh, pasi e kisha humbur një që më kishte dhënë dhe unë i thashë: “Oh, mjaft pive, Serge!”.

Anabelmagazine