Histori për një skenar filmi romantik / Gruaja i dha veshkën një personi të huaj, ndërsa vëllait të tij zemrën
Ajo i dha veshkën njërit vëllai dhe zemrën tjetrit.
Historia e një gruaje nga Florida mund të jetë lehtësisht skenari i një filmi romantik. 41-vjeçarja Hayley Milks në vitin 2019 i dhuroi një nga veshkat e saj një burri të sëmurë rëndë që nuk e njihte dhe përfundoi e fejuar me vëllain e tij të cilin e takoi në spital.
Milks e cila ishte në mes të një divorci të dhimbshëm në atë kohë, pa në internet postimin e një gruaje të dëshpëruar, i fejuari i së cilës po vdiste.
“Jam e mërzitur”, filloi postimi i saj përpara se të vazhdonte: “David është i fejuari im. Ai kishte një transplant të veshkave dhe pankreasit në vitin 2012 për shkak të dëmtimit të shkaktuar nga diabeti i tipit 1. Megjithatë, tre vjet më parë, trupi i tij filloi të refuzonte veshkën e re. Që atëherë, ai ka qenë në dializë tre ditë në javë, çdo herë ndihet më i dobët dhe më i sëmurë… Nëse dikush është i gatshëm të jetë një dhurues i gjallë, ju lutem më dërgoni mesazh.”
Pavarësisht sprovave të saj në atë kohë, Milks tha se postimi i gruas e preku atë në një mënyrë që ajo nuk e priste.
“Ata ishin një çift kaq i ri. Doja të bëja diçka”, tha 41-vjeçari.
Ajo menjëherë kontaktoi David Montoto dhe gruan e tij Melissa për t’i bërë të ditur se ishte e gatshme të ndihmonte. Çifti e ftuan për darkë dhe e falënderuan pa masë që e kishte marrë në konsideratë operacionin. Edhe pse kishin të njëjtin grup gjaku, Milks iu desh t’i nënshtrohej një sërë analizash për të siguruar përputhshmërinë. Milks kujtoi momentin që i tha Melissa-s se ajo ishte miratuar nga mjekësia për të qenë dhuruese. “Kishte heshtje në anën tjetër të telefonit. Pastaj ajo filloi të qajë”. 41-vjeçarja nënë e katër fëmijëve dhe mësuese e jogës filloi përgatitjet rigoroze të nevojshme për të dhuruar një organ jetik. Asaj iu dhanë infuzione të rregullta hekuri për të trajtuar aneminë e saj para-ekzistuese dhe iu nënshtrua analizave të pafundme.
Procedura e kërkuar për të dhuruar një veshkë iu duk shumë e lehtë në krahasim me katër lindjet që kishte bërë.
Pas operacionit, Milks ishte ende e mpirë nga morfina, kur një burrë i gjatë hyri me kujdes në dhomën e saj të spitalit. Të afërmit e Davidit erdhën në dhomën e Milks për të shprehur mirënjohjen e tyre. 40-vjeçari William Montono, vëllai i marrësit të veshkës, ishte personi i fundit që hyri dhe i ofroi ta ndihmonte. Të dy filluan të bisedonin dhe dita ditës afroheshin gjithnjë e më shumë. Montoto shprehu mirënjohjen jo vetëm për veprimin vetëmohues të Milksit, por edhe për bukurinë e shpirtit të saj.
“Gjithçka dukej shumë mirë kur filluam të flisnim. Nuk doja të largohesha nga ana e saj. Më duhej një justifikim për t’u kthyer në dhomën e saj. Kishim shumë të përbashkëta. Kiminë e kishim që në fillim të njohjes”.
Milks dhe Montono janë çift dhe që atëherë janë të pandarë. Të dy janë të divorcuar dhe kanë gjithsej shtatë fëmijë. Ata janë fejuar dhe planifikojnë të martohen në verë. Siç thotë Milks, ajo mund të ketë humbur një veshkë, por gjeti dashurinë dhe mbi të gjitha i dha jetë një personi.
Top Channel