Hirushe biznesmene, jo princeshë! Filmi i ri i përrallës së famshme do t’ju surprizojë
Një histori e re Hirusheje me disa detaje të reja mjaft interesante na pret nga 3 shtatori. Amazon sapo ka publikuar trailerin e filmit më të ri të “Hirushes” me një histori që ndërthuret shumë bukur me klasiken dhe modernen.
Filmi nis me historinë klasike: Një princ (Nicholas Galitzine) organizon një ballo për të gjetur nusen e tij perfekte dhe njerka nuk e lejon Hirushen që të marrë pjesë.
Por ky version i ri ka disa performanca musical (duke përfshirë ‘Rhythm Nation’ nga Janet Jackson) dhe zana që plotëson dëshirat e Hirushes është “Fab G”, luajtur nga Billy Porter.
Gjithashtu, Hirushes nuk i intereson fare që të bëhet princeshë. Në vend të kësaj, ajo ëndërron që të bëhet biznesmene dhe të ketë një dyqan për të shitur fustanet që i punon vetë.
Rolin e Hirushes e luan këngëtarja e njohur Camila Cabello, rolin e njerkës e luan Idina Menzel, ndërsa Pierce Brosnan dhe Minnie Driver luajnë rolin e mbretit dhe mbretëreshës.
Po ashtu në film luan edhe moderatori James Corden, i cili ka rolin e njërit prej minjve që transformohet në njeri. Më herët Camila Cabello e ka cilësuar këtë film si eksperiencën më magjike të jetës.
“Një nga eksperiencat më magjike të jetës sime. Mezi po pres që ta shihni dhe ju”, u shpreh ajo para publikimit të trailerit. Hirushja do të transmetohet ekskluzivisht në Prime Video nga data 3 shtator.