Hetimet/ Çfarë i tha policisë shoqja e dhomës së kenianes, Joy
Prokuroria dhe policia e Tiranës vijojnë hetimet për zbardhjen e vrasjes së 22-vjeçares Joy Ayoko e cila humbi jetën në rrethana ende të paqarta në gusht të vitit të kaluar në Tiranë. Pas marrjes në pyetje të shoferit ku punonte viktima radhën e ka pasur shoqja e saj e dhomës, Emily Mutua.
Me kërkesë të prokurorisë, sektori krimeve të rënda në policinë e kryeqytetit mori dëshminë e vajzës që ndante dhomën me viktimën. Ishte pikërisht shoqja e saj që e gjeti 22-vjeçaren të nesërmen në agoni për jetën pranë banesës. Dyshimet janë se pasi u dhunua ajo u hodh nga ballkoni i banesës ku jetonin.
Mësohet se ajo ka dhënë detaje për punën e tyre në kazino, lidhjet dhe atë që kishte ndodhur ditën e ngjarjes. Mediat raportojnë se e kjo është hera e dytë që Mutua jep detaje për ngjarjen. Edhe shoferi i kazinosë ku punonte viktima, Rodi Braçi u mor në pyetje të shtunën. Pas dhënies së dëshmisë ai u la i lirë.
Shoferi i kazinosë, dyshohet të jetë një nga kontaktet e fundit që keniania ka pasur mbrëmjen kur ndodhi ngjarja. Ai u ka thënë hetuesve se e kishte lënë 22-vjeçaren në vendin ku ato qëndronin, por ka mohuar se mes tyre ka pasur konflikte. Nëna e së resë nga Kenia, Ruth Abongo, tha në një intervistë për mediat se 4 ditë para ngjarjes së rëndë se vajza kishte udhëtuar me 32-vjeçarin Rodi Barci, në Durrës.
Sipas saj, e bija i kishte thënë se shoferi i kishte qëndruar shumë pranë, sjellje e cila s’i kishte pëlqyer të resë. Joy u zhduk më 13 gusht 2022 nga ora 03:25 deri rreth orës 07:00 të mëngjesit. Ajo u gjet në gjendje të rëndë poshtë pallatit ku banonte në kat të dytë nga shoqja e dhomës. Pas gati 6 muajsh në koma ajo ndërroi jetë në vendlindjen e saj. ©LAPSI.al