Heq dorë nga arbitrimi pas 13 vitesh, gjyqtari shqiptar: Ka shumë kurthe, faleminderit bosit të madh Armand Duka

Gjyqtari shqiptar, Amarildo Gjeçi është tërhequr nga arbitrimi. Pas 13 vitesh karrierë me bilbilin, Gjeci bën me dije se do largohet nga shumë faktorë. Për të, arbitrimi në Shqipëri është i vështirë dhe nuk mjafton vetëm mirësia. Arbiri flet edhe për “shkopinj në rrota” dhe kurthe që ngrihen në këtë fushë delikate të sportit.

“Qëllimisht do të kurthojnë në mënyrë që të zhgënjehesh, të dëshpërohesh dhe të nënshtrohesh, herë po e herë jo… Nëse nuk nënshtrohesh do të thonë gjëra nga më të ndryshme për ty, edhe nëse nuk ka të vërteta… Ironia e kësaj gjëje nuk ka fund”, shkruan Gjeci.

Mesazhi i plotë:

Ç’do gjë e ka një fund! Jam i detyruar për shumë arsye të tërhiqem nga arbitrimi. Dëshira dhe pasioni ishin të mëdhaja, por që shumë faktorë dhe individ ma bën të bezdisur këtë dëshirë dhe pasion për t’u tërhequr nga arbitrimi…

Nuk mjafton të jesh njeri i mirë. Mirësia vetvetiu nuk të dërgon askund. Përkundrazi të tjerët pafytyrësisht do të keq-përdorin mirësinë tënde që të dalesh keq tek të tjerët.

DO TË TË BËJNË TË NDIHESH KEQ!

Qëllimisht do të kurthojnë në mënyrë që të zhgënjehesh, të dëshpërohesh dhe të nënshtrohesh, herë po e herë jo… Nëse nuk nënshtrohesh do të thonë gjëra nga më të ndryshme për ty, edhe nqs nuk ka të vërteta… Ironia e kësaj gjëje nuk ka fund!…

Kam mësuar se në Arbitrim duhet të kesh trimëri, forcë, kurajo, drejtësi, luajalitet, kthjelltësi, imagjinatë, mendim, intuitë, butësi, moskompensim, shpejtësi, transparencë, paanësi brënda një rregullore… Por që rregullorja…

Pas më shumë se 12-13 vjet Arbitrim kam njohur miq të mirë dhe jo të mirë, tek miqtë e mirë janë Lorenc Jemini, Ermal Barushi, Rejdi Avdo, Nertil Bregasi, Blendi Breshanaj, Bardhyl Pashaj, Sokol Çekaj, Vin Hoxhaj dhe Enea Jorgji. Ndërsa disa s’dua ti përmend se mos ju prish punë.

I them faleminderit vetëm bosit të madh Armando Dukës, edhe Petrit Brahjes (njeriu më I drejtë nga të gjithë).