Helmim apo hemorragji cerebrale/ Misteri i vdekjes së Ismail Qemalit
Në çastet e fundit të jetës së vet, Ismail Qemali kishte thirrur një konferencë shtypi me gazetarët italianë, për të shprehur shqetësimet lidhur me atë që konferenca e paqes në Paris do të vendoste për kufijtë e Shqipërisë.
Ishte 75 vjeç dhe prej vjetësh ishte larguar nga drejtimi i qeverisë së parë shqiptare në Vlorë, ku më 1912 kish shpallur pavarësinë. Situatat që Ismail Qemali kishte kaluar ato ditë në Peruxha të Italisë i kishin shkaktuar një gjendje të rëndë mendore dhe fizike. Edhe pse në atë gjendje, ai nuk kishte ngurruar të dilte para shtypit.
Njëri nga djemtë e Ismail Qemalit ka deklaruar në ato ditë se qëndrimi i Romës ndaj vendit të tij e dëshpëroi shumë babanë e tyre. Për të mos e lënë në harresë misionin e tij, Ismail Qemali ftoi më 23 janar 1919 në hotelin “Brufani” ku kishte bujtur, korrespondentët e disa gazetave italiane që ndodheshin në Peruxha.
Sipas të birit, Ethemit, kur Ismail Qemali, pasi kishte ngrënë drekë doli para gazetarëve që po e prisnin, sapo filloi të fliste u zverdh dhe filloi të dridhej e të belbëzonte. Ali Asllani, kryetari i Bashkisë së Vlorës, tregon se Ethemi i kishte thënë që Ismail Qemali “kërkoi ta shoqëronin në banjë. Atje e mbyti shkuma e të vjellët”.
Vdekjen e tij e njoftoi, ndër të tjera, me një komunikatë të veçantë gazeta italiane “L‘Unione Liberale”, organ i Partisë Liberale të Italisë, e qendrës së djathtë, me këto fjalë: “Dje në mbrëmje, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel ‘Brufani‘ mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal Bej Vlora”.
Hemorragjia cerebrale e goditi më 23 janar dhe si pasojë paralizimi. Për të përballuar sëmundjen nuk patën dobi as mjekimi më i kujdesshëm i mjekut që e kuroi, doktor Leone Pernossi dhe të konsulentëve, prof. Silvestrini dhe prof. Righetti dhe as prania e dhembshur e djemve.
Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por, kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë.
I shoqëruar nga tre djem të tij: Ethemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë.
Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora.
“…Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë”, – shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora, – “duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmortshme… as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi.
Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apoteozë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit…” – e mbyll ai. ©LAPSI.al