“Hello albo!”, hetimi i The Sun: ‘Gangsterët’ shqiptarët përdorin gratë shtatzëna për lejen e qëndrimit

“The Sun” i ka kushtuar një tjetër artikull “gangsterëve shqiptarë” në Britaninë e Madhe. Këtë herë, është hetuar një “taktikë” e re e tyre për të siguruar lejen e qëndrimit.

Ata po “targetojnë” gratë shtatzëna që janë të gatshme t’u japin atësinë e fëmijës së palindur.

Në Tik Tok qarkullojnë njoftime që gratë atje bien dakord që të regjistrojnë atësinë e fëmijës në emër të emigrantëve, në mënyrë që këta të fundit të pajisen me leje qëndrimi dhe t’i shpëtojnë deportimit me pretendimin se kanë ndërtuar një familje në Angli.

Sipas hetimeve të “The Sun”, në rrjetet sociale është zbuluar një llogari e quajtur “Zyra Konsullore Londër”, e cila më pas u fshi. Në të shkruheshin njoftime të tipit: “Puna jonë vazhdon çdo ditë. Kemi gra me fëmijë. Regjistroni fëmijët e tyre në emrin tuaj.”

Më poshtë është një shembull i kësaj “marrëveshjeje” të pazakontë:

Katy dërgon ekon e bebes dhe ‘ndërmjetësi’ i përgjigjet: Wow, ai duket kaq mirë dhe i shëndetshëm. Mezi po presim për të!

Katy përgjigjet: Po, çdo gjë është mirë.

Ndërmjetësi: Mirë. Do i them tani klientit.

Por si funksionon?

Pasi arrihet dakordësia mes palëve, kur foshnja vjen në jetë, në certifikatën e lindjes shënohet emri i një emigranti shqiptar që ka mbërritur atje ilegalisht. Më pas bazuar në të drejtat ligjore të njeriut, ky person aplikon për leje qëndrimi. Është një formë e re e sigurtë që të lejon të qëndrosh në Britani dhe zakonisht është përdorur nga njerëz të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, ose që iu është komunikuar se do të deportohen në një datë të caktuar.

Në 3 muajt e parë të këtij viti, 700 shqiptarë janë kthyer në vendlindje. Sipas ‘Home Office’ rezulton se 13 714 shqiptarë kanë aplikuar për azil në kaq pak kohë. Fluksi i emigrantëve vijon, pavarësisht masave të shtuara nga autoritetet britanike./tvklan.al