Hazizaj: Kam bërë 4 doza të vaksinës, sistemi më tregon 3, ministrja të marrë masa

Aktivisti për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, Altin Hazizaj ka zbuluar në A2 CNN se ka marrë vullnetarisht 4 doza vaksine: dy doza nga vaksina kineze Sinovac dhe dy nga vaksina e Pfizer. Shkak është bërë pasi ai nuk u lejua që të fluturonte në Europë me vaksinën kineze. Mirëpo atij i ka dalë një problem. Hazizaj ka zbuluar se sistemi i tregon se ai ka kryer vetëm 3 vaksina, ndërkohë që ka marrë 4. Aktivisti i ka bërë të ditur këtë problem ministres së shëndetësisë dhe kërkon që të merren masa.

“Kur duhej të bëja vaksinën, në dispozicion për personat pa probleme të tjera ishte vetëm vaksina kineze, Sinovac. Ndërkohë, në Europë u vendosën kufizime dhe nuk mund të udhëtoje nëse nuk kishe dy doza të një vaksine perëndimore. Kjo më detyroi, për shkak të punës, që të vaksinohem me dy doza të tjera. Por, problem është se sistemi e-Albania më tregonte jo më shumë se dy vaksina. Sot, sistemi më tregon vetëm 3 doza vaksine. I kam kërkuar ministres sëShëndetësisë që të marrë masat që të më njihet edhe vaksina e katërt”, – deklaroi Hazizaj.

“Dy kinezet i kam bërë te mjeku i familjes, ndërsa vaksinat Pfizer i kam bërë te sheshi “Skënderbej”. Unë besoj te shkenca dhe njoh edhe njerëz të tjerë që kanë bërë 4 doza vaksine”, – tha Hazizaj.

(a.b)/dosja.al