Hakmarrja si në filmin “Taken”, historia e gruas që gjurmoi për 5 vite anëtarët e kartelit që i vranë vajzën

Nëna e një të reje meksikane e cila u vra nga një kartel droge, ka planifikuar dhe zbatuar një hakmarrje që i përngjan skenarit të filmit “Taken”, të cilin ne e njohim shumë mirë për shkak të të “Markos nga Tropoja”. Ajo shpenzoi vite me radhë për të përndjekur rrëmbyesit e vajzës së saj derisa arriti t’i eliminojë.

Miriam Elizabeth Rodriguez Martinez u bë një nga aktivistet më të guximshme të Meksikës, e cila që pas zhdukjes së të bijës, Karen Rodriguez, në vitin 2012 nisi të luftojë për gjithë fëmijët që zhdukeshin apo rrëmbeheshin nga kartelet e drogës. E bija 20-vjeçarje u rrëmbye nga anëtarët e një karteli droge me emër “Los Zeta”. Ata kërkuan mijëra dollarë në këmbim të vajzës, por pavarësisht përpjekjeve të familjes, Karen u vra dhe u hodh në një fermë të braktisur në 2014-ën.

Pas rrëmbimit dhe vdekjes së vajzës, Miriam nuk ia la në dorë drejtësinë institucioneve, por u kujdes vetë që kjo çështje të shkonte deri në fund. Ajo kaloi nga ekstremi në ekstrem, në kërkim të hakmarrjes për të bijënj, aq sa i përndoqi vrasësit deri në cepin tjetër të Meksikës, në kufi me Texas-in. Gruaja përdori shumë maskime, identitete të rreme dhe armë false dhe po ashtu mori në pyetje disa anëtarë të kartelit. “Los Zetas” është një nga kartelet më të rrezikshme të drogës në shtetin e Amerikës Qëndrore.

Një nga historitë e saj është ajo me luleshitësin e ri që iu bashkua kartelit. Pasi mori vesh lokacionin e tij, 56-vjeçarja e ndoqi deri në kufi me SHBA ku i drejtoi armën për ta kërcënuar dhe të zbulonte më tepër rreth tyre. Më pas e dorëzoi tek autoritetet. Një tjetër histori është ndjekia që bëri ndaj njërit prej anëtarëve, emrin e të cilit e dëgjoi në radio teksa lutej për lirimin e të bijës. Ajo e gjeti përmes rrjeteve sociale dhe vizitoi ditë për ditë dyqanin ku e shoqja punonte. Mësoi oraret e saj dhe priti që Sama, djali në fjalë, të shfaqej aty. Kur kjo ndodhi, e ndoqi deri në shtëpi dhe i mori shënim adresën. Nga frika se mos zbulohej Miriam leu flokët dhe veshi kostumin kur punonte në Ministrinë e Shëndetësisë. Kështu ajo mund të sillej në lagjen e tij me pretekstin se po merrej me anketa. Një polic e ndihmoi, por fatkeqësisht Sama u arratis pa u kapur. Gjithsesi fati e solli atë tek dyqani ku i biri i Miriam punonte dhe në shtator të 2014, Sama u arrestua dhe dha detaje lidhur me vrasjen e 20-vjeçares.

Mësohet se gruaja ka kapur rreth 10 anëtarë gjatë planit të saj për hakmarrje, të gjithë të arrestuar dhe që po vuajnë dënimin e tyre. Dhe ishte pikërisht kjo hakmarrje që i kushtoi Miriam jetën. Ajo u vra në Ditën e Nënës në vitin 2017, pasi u qëllua me 12 plumba jashtë shtëpisë së saj. Sot ajo konsiderohet për shumë persona në Meksikë si heroinë.

/News31

Burimi: Daily Mail