Hackathoni i sfidave klimatike “Climathon Tirana” 2022 shpalli fituesit me zgjidhjet më novatore drejt një të ardhmeje të qëndrueshme për kryeqytetin
Climathon Tirana 2022 u organizua nga ICTS Lab dhe u mbështet nga ONE & ALBtelecom
Të qenit metropol ka përparësitë dhe sfidat e veta. Tirana si një e tillë shpesh gjendet para sfidave të ndyshme siç janë ato klimatike. Pikërisht Climathon Tirana synoi të integrojë qytetarët e saj drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme duke rritur efikasitetin funksional të qytetit, frymëzuar të rinjtë përballë sfidave klimatike dhe ofruar zgjidhje novatore për një të ardhme të qëndrueshme.
Climathon është i pari hackathon në Shqipëri që i dedikohet zgjidhjeve për qytetin e Tiranës, mbi 5 shtylla të çështjeve klimatike. Me dhjetëra mentorë me përvojë, ekspertë të fushës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe kompani private iu bashkuan këtij eventi që u zhvillua më 28, 29 dhe 30 tetor.
Climathon është një ndërmarrje 4-vjeçare që nisi si një komunitet global njerëzisht që duan të bëjnë ndryshimin në lokalitetet e tyre. Ky komunitet që bashkoi fillimisht 600 persona, tani numëron 6.500 njerëz të angazhuar nga e gjithë bota. Climathon është krijuar nga Komisioni Europian dhe përfshin 140 qytete, në 56 shtete.
ICTS Lab në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, me mbështetje të ONE & ALBtelecom sollën për herë të parë këtë lëvizje globale dedikuar ndryshimeve klimatike, nën emrin “Climathon Tirana 2022”. Kjo lëvizje synon të orientojë qytetin e Tiranës dhe banorët e saj drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme përmes rritjes së efiçencës së qytetit dhe duke frymëzuar njerëzit e rinj të japin zgjidhje për të ardhmen.
Inovacioni teknologjik dhe kulturor mund të ketë një impakt shumë të madh në krijimin e ndryshimeve në qytete, fshatra apo rajone ndaj idetë mund të vijnë nga kushdo. Gjatë kësaj fundjave u mblodhën rreth 150 pjesëmarrës dhe kjo tregon qartë që përherë e më shumë njerëzit po ndërgjegjësohen rreth çështjeve klimatike, me dëshirën pët të sjellë ndryshim.
Gjatë ditës së dielë u prezantuan shumë ide kreative. Nëse disa prej tyre implementohen, do të jepnin zgjidhje konkrete, menjëherë në kursimin e energjisë elektrike, në gjurmimin e konsumit të ujit, efiçencën në menaxhimin e mbetjeve, etj. Tre prej ideve që arritën të fitonin financim lidhen me menaxhimin e mbetjeve plastike, efiçencën në pastrimin e qytetit nga mbetjet dhe gjurmimin në konsumin e ujit. Ndërsa ideja a katërt që u shpërblye nga ONE & Albtelecom me smartphones ishte një aplikacion që ndihmon organizimin e transportit të qytetarëve, duke reduktuar përdorimin e makinave.