Guarin, rrëfimi i dramës së ish-interistit: “Jam i alkoolizuar prej vitesh, kam frikë se do vdes”
Alkoolizmi është një vorbull në të cilën është e lehtë të biesh, por nga e cila është jashtëzakonisht e vështirë të shpëtosh. E Freddy Guarin, ish-mesfushori i cili gjithashtu provoi sezone të mira me fanellën e Inter, ra rëndë në atë vorbull varësie nga ku po mundohet të dalë.
Kolumbiani, në një intervistë të gjatë dhënë për revistën Semana, ka rrëfyer dramën e tij personale, të përbërë nga momente errësire dhe përpjekjesh të vështira për t’u rikuperuar.
GUARIN E MAKTHI I QUAJTUR ALKOOLIZËM
Ish-mesfushori e nisi nga fundi, duke folur se si tani më e keqja duket se po kalon: “Tani jam i lumtur, nuk do ta ndryshoja për asgjë në botë. Jetoj ditë për ditë. Dua vërtetë të mund të jetoj një jetë normale, të qetë dhe të planifikuar. Sot jam plotësisht në paqe dhe i gatshëm të jetoj jetën e një njeriu normal, një personi që ngrihet, stërvitet, punon, vjen në shtëpi në mbrëmje dhe pushon”.
“Kur u tërhoqa nga futbolli dhe sidomos mënyra se si lashë futbollin, që nuk ishte i përshtatshëm, më mbeti ndjesia: çfarë të bëj tani? Për 20 vjet qëllimi im ishte t’i përkushtohesha futbollit dhe këtë di të bëj. Unë gjithashtu nuk u përgatita për gjëra të tjera dhe mora vendime që nuk ishin të mira. Mu desh të mësoja. Kthehem pas në kohë për të kujtuar gjërat e këqija që kam bërë, përpiqem të eci para dhe të jetoj jetën më të mirë që mundem”.
PRANIMI
“Nëse jam i alkoolizuar? 100%. Jam i alkoolizuar dhe e pranoj. Jam i varur prej tij në rrugën e shërimit. Kujtoj cfarë nuk është bërë mirë, atë që është bërë keq. Unë kam qenë një alkoolist prej disa vitesh. Kur u largova nga Millonarios, ishte pika më e ulët që arrita, nuk punoja më, kisha humbur dinjitetin tim, besimin e njerëzve të dashur dhe gjënë më të çmuar që kam, ose më saktë tre fëmijët e mi. Erdhi një moment që nuk mund të vazhdoja më kështu. Kërkova ndihmë, e kisha bërë tashmë disa herë, por gjithmonë kthehesha në ves. Mu desh të dorëzohesha dhe të kërkoja ndihmë nga disa profesionistë me të cilët jam duke punuar. Duhet të rifitoj besimin tim, të fëmijëve të mi e të prindërve të mi”.
FRIKA
Ajo e Guarin ishte një intervistë shumë intime në të cilën ai foli edhe për frikën e tij: “Janë dy: vdekja dhe burgu. Unë kam një frazë të bërë tatuazh në trup, e kam shkruar vetë: “Kam frikë nga vdekja dhe burgu” dhe, pa e ditur, unë jetoja në një burg i dënuar me vdekje. A doni të dini nëse isha afër vdekjes apo burgut? E vërteta është se në atë rrugë të errët që isha, isha afër vdekjes, sepse nuk kisha respekt, nuk kisha kufij, nuk kisha guxim dhe e lashë veten të futesha më thellë në atë vrimë çdo ditë. Kam trokitur në dyert e ferrit.
Disa kolegë dhe ish-shokë të skuadrës më qendruan pranë gjatë kësaj periudhe shumë të vështirë: “Falcao, James, Juan Fernando Quintero, Ospina, Cuadrado, Zanetti, Córdoba dhe të tjerë që ishin aty të palëkundur dhe në ato momente të errëta më qëndruan pranë. Ata ishin të disponueshëm për të më ndihmuar”. Por ka edhe nga ata që i kanë kthyer shpinën: “Të tjerët pa thënë asnjë fjalë u larguan, nuk ishin miq”.
lapsi.al