Grupi “Jericho” humb basistin, ndahet nga jeta Suad Jamini


Basisti i grupit “Jericho”, Suad Jamini, ka ndërruar jetë sot. Lajmi për vdekjen e Jaminit është konfirmuar nga familja e tij. Mësohet se Jamini ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ngushëllime ka shprehur edhe rockeri nga Prishtina, Rilind Gërvalla, mik i Jaminit. “Edhe një djalë i ri, një rocker na la. Ngushëllime shoqes Aidë dhe shoqërisë që e njohën Suad Jaminin. Unë e njoha nëpërmes këngës, Jerichos! Kosovën ku na vdesin të rinjtë e shëndosh spitaleve o duhet ta ndryshojmë o do vdesim një nga një, bal!”, ka shkruar Gërvalla, sipas “Magazina”. “Jericho” është një rock grup i formuar nga disa të rinj shqiptarë nga Kosova në maj të vitit 1997 në Prishtinë. Ky grup njihet për muzikën dhe tekstet e tyre mjaft të veçanta. Pjesë e grupit, përveç të ndjerit Jamini, janë edhe vokalisti Petrit Çarkaxhiu, kitaristi Leonard Canhasi dhe bateristi Visar Rexha.