Grupi Aurora: Hera e tretë që refuzohemi në Festival, kishim këngë më të mirë se Arilena

Ai njihet si një ndër grupet më të njohura shqiptare në vitet 2000, edhe pse ka kohë që nuk ngjiten në skenën shqiptare.

Por arseja për këtë nuk lidhet me mungesën e projekteve të grupit Aurora.

Të pranishëm sot në emisionin #gjesi në T7 djemtë thanë se, ka qenë vendim i tyre i marrë në vitin 2016 që deri në vitin 2020 nuk do të sjellin asnjë këngë të re.

“Ka qenë vendim që e kemi marrë dhe ne gjithmonë u kemi qëndruar mbrapa vendimeve tona. E kam këtu në telefon, mundesh me pa edhe ti” thotë Nazi.

Sipas tyre, e vetmja përpjekje për të prezantuar një prej këngëve  të  tyre, ka qenë festivali i RTSH-së, fituesi i të cilit e përfaqëson Shqipërinë në festivalin evropian të këngës Eurosong.

Nazi u shpreh se, edhe pse kishin aplikuar 3 vjet radhazi, pjesëmarrja e tyre ishte refuzuar nga drejtuesit e festivalit.

“Është hera e tretë që konkurrojmë në këtë festival, jo që ne mendojmë që është i mirë, po sepse kemi dëshirë ta prezantojmë Shqipërinë në Eurosong. Ju garantoj që kënga jonë është shumë më e mirë se të gjitha këngët që e kanë përfaqësuar Shqipërinë deri tash, përfshirë edhe këtë të fundit”, u shpreh ai duke iu referuar këngës së Arilena Arës.