Grumbullim në Barcelonë, zbulohet axhenda e Kombëtares shqiptare për 3 sfidat e muajit mars
Kombëtarja shqiptare do t’i nisë nga Barcelona përgatitjet për kualifikueset e Kupës së Botës Katar 2022. “Panorama Sport” mëson se FSHF ka zgjedhur Spanjën si destinacion për këtë grumbullim, i cili do të bëhet të dielën e 21 marsit. Kjo zgjedhje ka ardhur për shkak të afërsisë që ka ky shtet me Andorrës, por edhe prej situatës së pandemisë.
Të dielën të gjithë futbollistët që do të thirren nga trajneri Reja, do të grumbullohen në Barcelonë, ndërkohë që ditën e hënë, do të nisin zyrtarisht përgatitjet, për takimin e 25 marsit ndaj Andorrës.
Kuqezinjtë do të stërviten 2 ditë stërvitje në Barcelonë, teksa më pas do të spostohen në Andorra ku do zhvillojnë stërvitjen gjenerale dhe konferencën për shtyp për këtë sfidë. Pas përballjes me Andorrën, Kombëtarja menjëherë do të niset drejt Shqipërisë, për t’u përgatitur për sfidën speciale ndaj Anglisë që do të luhet më 28 mars në “Air Albania”. Një fund muaji tepër intensiv ky për kuqezinjtë, që do të përmbyllet me takimin ndaj San Marinos, të planifikuar për t’u luajtur më 31 mars në transfertë.