Grabitje me armë dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, arrestohet në Rinas 41-vjeçari
Falë bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese është vënë në pranga një shtetas i kërkuar në Itali, për grabitje me armë dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, si rezultat i forcimit të kontrolleve në hyrje-dalje, falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana me zyrën homologe në Interpol Roma/Itali, Departamentin e Policisë Kriminale dhe DRKM Tiranë, bënë të mundur arrestimin e shtetasit shqiptar B. Q. alias B. S., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Torinos/Itali, në vitin 2019, ka lëshuar urdhër arresti për veprën penale “Organizatë kriminale” dhe “Grabitje me armë”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Përmbledhje e ngjarjes:
Shtetasi i mësipërm akuzohet për organizatë kriminale në fushën e vjedhjes së banesave me përdorimin e armëve të zjarrit. Në rolin e drejtuesit të organizatës kriminale ai siguronte automjetet dhe armët, me qëllim kryerjen e krimeve. Ky shtetas është akuzuar dhe për mbajtje të armëve në publik.
Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe Marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.