
Grabitje epike në Milano/ Hajdutët kthejnë orat 600 mijë euro me një shënim: Janë fallco!
Një grabitje me vlerë mbi 600 mijë euro, një rikthim po aq i pazakontë dhe një letër e shkruar me dorë që shton misterin… Është ky rasti tejet i pazakontë në Milano.
Gjithçka ndodhi shumë shpejt në hotelin prestigjioz The Westin Palace.
Një turist amerikan u bë viktimë e grabitjes spektakolare, një çantë e zezë Tom Ford me AirPods, karta krediti, para cash (600 dollarë dhe 300 euro) dhe më kryesorja, katër ora super të shtrenjta të markës Richard Mille, secila e vlerësuar me 150 mijë euro.
Policia ndërhyri menjëherë duke ndaluar një 27-vjeçar francez, i cili kishte sjellje të dyshimta. I riu dyshohet si bashkëpunëtor në grabitje, ndërsa “protagonisti” ia doli të arratiset. Autoritetet thonë se është një 19-vjeçar maroken, me precedent të mëparshëm kriminalë.
Por një ditë më vonë erdhi kthesa e madhe, çanta u gjet në të njëjtin vend, te holli i hotelit. Brenda saj ishte një pjesë e parave dhe orat e padëmtuara. Ajo që ngjalli më shumë interes ishte letra e shkruar në italisht me një shkrim të çrregullt:
“Gli orologi sono falsi”, pra “Orat janë fallco”.
Një kthesë që befasoi edhe policinë. A ishte kjo një përpjekje për të hequr përgjegjësinë ligjore? Apo ndoshta një tentativë për të çorientuar hetimet?
Megjithatë, hetimet vijojnë, në një rast që ngjan si film me komedi e krim brenda.
voxnews.al