Grabitet banesa e Vaçe Zelës në Tiranë, autorët marrin dekorata dhe bizhuteri

Është quajtur Mbretëresha e këngës Shqiptare, me dhjetëra çmime të fituara, ikona e muzikës së lehtë për disa dekada, por sërish hajdutët nuk duan t’ia dinë.

Policia bën me dije për Gazetasi.al, se disa persona ende të paidentifikuar, kanë vjedhur shtëpinë e Vaçe Zelës në Tiranë, e cila është ndarë nga jeta në shkurt të vitit 2014 në Zvicër, ku jetonte me vajzën e saj.

Burimet thanë se denoncimi u dorëzua nga motra e ikonës së këngës shqiptare, që kujdesej për banesën e Vaçe Zelës.

Midis sendeve me vlerë të vjedhura që autorët kanë përvetësuar, është edhe një dekoratë e dhënë për këngëtaren nga Presidenti i Republikës.

Siç ka deklaruar në polici, e motra e konstatoi menjëherë vjedhjen sapo futi çelësin në derë dhe kuptoi se dera ajo ishte e hapur.

“Rreth orës 19:45 shkova në shtëpi si përherë dhe vura re se dera nuk ishte e kyçur, por u hap menjëherë sapo e preka. Hyra brenda dhe pashë rrëmujë, rrobat i kishin hedhur përtokë, ndaj menjëherë njoftova fqinjën në katin sipër që lajmëroi policinë”, – ka thënë motra e këngëtares.

Burimet policore pranë komisariatit numër 1 në Tiranë, i treguan Gazetasi.al, se salla operative i kërkoi një patrulle të afrohej në banesën ku ka jetuar Vaçe Zela. Por policia, megjithë këqyrjen e detajuar, nuk ka zbuluar asnjë gjurmë daktiloskopike, pavarësisht kërkimeve.

Policia shpreson që një fije floku e gjetur në banesë dhe që është dërguar pranë laboratorit të kriminalitikës, mund t’i çojë tek autori i dyshuar i vjedhjes. Sipas një burimi të Gazetasi.al, janë kërkuar kamerat e sigurisë në zonën rreth shtëpisë, por deri tani nuk janë gjetur.

Ndërsa nga inventari i kryer në banesën e Vaçe Zelës, motra e saj thotë se janë vjedhur përpos dekoratës, edhe kutitë me bizhuteri dhe sende të çmuara.

Top Albania Radio