Grabiste apartamente, ishte kryetari i bandës: arrestohet vëllai i Antonio Cassano
Viti 2024 nuk nis me pritshmëritë më të mira për Antonio Cassano, i cili pak orë më parë mori lajmin për arrestimin e gjysmëvëllait të tij Giovanni. Familjari i ish-futbollistit të Barit, Romës, Inter, Milan dhe Sampdorias, i njohur në Tik Tok si “U Curt”, u ndalua nga Karabinierët. Arrestimi i tij ishte pjesë e një operacioni që përfshinte shtatë persona të tjerë, të akuzuar për vjedhje dhe grabitje në disa shtëpi mes krahinës së Barit dhe Barletta-Andria-Tranit.
SI BËHESHIN VJEDHJET?
52-vjeçari nga Pulia, me të cilin ish-futbollisti nuk ka lidhje prej disa kohësh, ishte në krye të një bande grabitësish. Ata përdornin çelësat e vjedhur nga viktimat ose i riprodhonin falë bashkëpunimit të pronarit të një dyqani hardëare, të cilit i dërgoheshin fotot e çelësave për tu kopjuar, për tu futur në shtëpi dhe për të vjedhur. Në ato raste kriminelët shfaqeshin të maskuar me paruke grash, maska anti-Covid, kapele dhe kapuçë. Siç raportohet nga La7, Cassano ishte përfshirë tashmë në çështje ligjore tetorin e kaluar me sekuestrimin e aseteve me vlerë rreth një milion euro, rezultat i një një sërë aktivitetesh të paligjshme, duke përfshirë vjedhjet, marrjen e mallrave të vjedhura, grabitjet dhe zhvatjet duke përdorur gjithashtu dhunë dhe armë.
BANDË ME BAZË LOGJISTIKE
Krahas vjedhjeve, tetë personat akuzoheshin për shoqëri kriminale. Ndërkohë, është dokumentuar përdorimi i makinave me cilindratë të madhe të vjedhura, përdorimi i targave të falsifikuara në automjetet në pronësi të anëtarëve të grupit kriminal, për të mos i bërë ato të gjurmueshme, radio dhe pajisje telefonike të dedikuara për aktivitet të paligjshëm, bllokues frekuencash, tuba fleksibël dhe mjete të ndryshme prerëse dhe hapëse. Në fund, u zbulua dhe u dokumentua ekzistenca e një baze logjistike që përdorej për të fshehur automjetet e vjedhura, mjetet e vjedhjes dhe, ndonjëherë, mallrat e vjedhura që prisnin të dërgoheshin në kanalet e riciklimit.