Gola dhe pikë, Milani me një ecuri titulli. 12 bombera e 0 humbje, zbulohet sekreti i “Djallit”

Tridhjetë e gjashtë pikë në 24 ndeshje dhe pritshmëri të komprometuara seriozisht. Ky ishte Milani përpara pandemisë, teksa pas saj rendimenti ka pësuar rritje të ndjeshme. 25 gola të shënuar dhe tetë të pësuar në tetë sfida në të cilat kuqezinjtë kanë dalë me një pikë në vetëm një rast e duke fituar 6 të tjera. Stefano Pioli thotë se bilancet do të bëhen me 2 gusht kur të mbyllet kampionati, megjithatë, sapo pati pak kohë në dispozicion, trajneri i ndryshoi fytyrën ekipit. Titullarët nuk janë më 11, teksa golat po vijnë nga të gjitha anët (12 golashënues në 7 ndeshje).

BOMBERA NË RRITJE – Stefano Pioli ka ditur të rivlerësojë lojtarët duke e bërë më të keq Rebiçin përpara porte. Kroati ka shënuar 11 gola në aksion duke qenë pas Halandit (13) dhe Levandoskit (12) në renditjen e pesë kampionateve më të mëdha europiane. Çalhanoglu e Kesi kanë kapur nivele stratosferike e jo vetëm për shkak të numrit të golave në rritje. Afrikani ka shënuar 4 herë sivjet (3 pas ndalesës), ndërsa turku, përveç 6 asisteve, ka regjistruar edhe 7 realizime sezonale.

Leao, Kastijeho e sidomos Teo Hernandez kanë dhënë kontributin e tyre të padiskutueshëm teksa në ndeshjet e fundit Romanjoli (ndaj Parmës) e Kalabria, Selemekers e Benaser (të tre ndaj Bolonjës) janë futur në listën e golashënuesve të sivjetshëm. E të mendosh që në të gjithë këtë situatë 6 golat dhe 5 asistet e Ibës në 14 prezenca kalojnë si të padukshëm.

ECURI TITULLI – Ardhja e Ralf Rangnkut nuk e ka shpërqendruar ekipin që tashmë udhëton me ritëm titulli. Koha nuk premton për vende elitare, ndaj Milani do të duhet të kërkojë e të kënaqet me vendin e pestë. 20 pikë nga 24 në dispozicion janë sinjal i qartë force për një ekip që ka ditur të kalojë mbi “kufomat” e Romës, Lacios dhe Juventusit e të dalë pa dëme nga një fushë e ndërlikuar si Napoli.

Sasuolo do të jetë një tjetër testim i vështirë përpara provimit përfundimtar me Atalantën, megjithatë ky Milan ka ditur të tregojë se di të transformojë mirazhet në realitet, sidomos nëse udhëton me një mesatare prej 3.1 golash çdo 90 minuta (25 gola në total), siç ka bërë në tetë takimet e zhvilluara që prej rinisjes së sezonit.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI