“Gledis Nano duhet marrë në mbrojtje”, Karamuço: I është vënë nga mbrapa të gjitha grupeve terroriste në Shqipëri
Ditën e djeshme, janë publikuar email-et e marra nga posta elektronike që kishte në përdorim ish-kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Këto të dhëna janë hakuar nga grupi Homeland Justice, që ka marrë përsipër sulmin kibernetik ndaj sistemeve të policisë.
Për këtë ka folur ditën e sotme në “ABC e Mëngjesit”, pedagogu i kriminologjisë Ervin Karamuco, i cili ka deklaruar se Nano duhet marrë në mbrojtje. Ai ka theksuar se ky i fundit ka qenë njeriu që i është vënë nga mbrapa të gjitha grupeve terroriste në Shqipëri.
“Ai është një target për shkak se ka qenë drejtor i anti-terrorit. Ka qenë njeriu që i është vënë nga mbrapa të gjitha grupeve terroriste në Shqipëri. Ka informacion për këta. Është ekspozuar për Sirinë, është ekspozuar për Iranin. Ka bërë operacione që shumica e tyre nuk do të dihen, disa kanë qenë shumë të suksesshme që ju kanë bërë shumë dëm atyre. Veçse kanë ndaluar, kanë arrestuar, kanë përndjekur shumë prej tyre me të drejtë nga ana e shtetit tonë me partnerë ndërkombëtarë. Edhe të nxjerrësh informacionet e tij, të dhënat personale të familjarëve të tij, të bankave, numrave dhe gjithçka, do të thotë ta bësh një shënjestër. Ai duhet marrë në mbrojtje”, tha ai./abcnews.al