Gjyshi i Ava Max ka qenë aktor në Shqipëri dhe këtë këngëtarja e zbuloi gjatë dedikimit prekës për ndarjen e tij nga jeta

Për Ava Max, sot është një ditë e trishtë, pasi personi më i shtrenjtë i këngëtares është ndarë nga jeta. “Zemra më copëtohet në miliona copa”, ka shkruar Ava, duke dhënë lajmin e hidhur për humbjen e gjyshit të saj.

Këngëtarja ka ndarë dy foto, për të cilat ka theksuar se janë realizuar nga koha kur gjyshi i saj, Dionis Koçi, jetonte në Shqipëri. Ajo ka bërë me dije se Koçi ishte aktor dhe komedian në vendlindje, duke shtuar se dashurinë për skenën, Ava e ka trashëguar pikërisht nga ai. Me fjalët më të ndjera, këngëtarja ka shprehur edhe lumturinë që gjyshi priti aq gjatë sa të shikonte Avan teksa realizonte albumin e saj të parë.

Postimin e plotë e gjeni më poshtë.

“Sot dhe çdo ditë të jetës do ta kujtoj gjyshin tim të mrekullueshëm, Dionis Koçi. Sot, ai ndërroi jetë në gjumë. Teksa po shkruaj këto fjalë, zemra më copëtohet në miliona copa, por unë gjithsesi po ndaj këto foto të bukura të tij në Shqipëri, ku bënte atë që dëshironte më shumë. Ishte aktor dhe komedian. E di që e kam trashëguar dashurinë për skenën nga ai. Ishte një shpirt i bukur, plot humor, njeriu që gjithmonë të gëzonte, njeriu që do të bënte gjithçka për ty. Do ta kujtoj gjithmonë kështu gjyshin tim. Ti më dhe krahë për të performuar dhe prite aq gjatë sa të më shikoje teksa realizoja albumin tim të parë. E di që do të jesh aty në skenë me mua. Të dua.”