Gjyqi i Mandit dhe Silvës për “Të ka lali shpirt” ia kalon edhe spektaklit të Big Brother Vip
Seanca e jashtëzakonshme e rubrikës “Shihemi Në Gjyq” tek “E Diela Shqiptare” në Tv Klan mes dy artistëve Mandi i Nishtullës dhe Silva Gunbardhi ka thyer çdo rekord audience në platformën YouTube, jo vetëm në Shqipëri.
Videot e kësaj seance ndërmjetësimi kanë arritur mbi 1 milion shikime në total. Video e plotë në më pak se 24 orë ka kaluar shifrën e 550 mijë klikimeve.
“Popular Right Now” (Videot më të ndjekura të momentit) sipas YouTube në Shqipëri emisioni renditet në vendin e 3-të, pas dy këngëve më të dëgjuara të momentit në vend të parë, “Corazon nga Butrint Imeri & Don Xhoni” dhe në vend të dytë “Theje nga Alban Ramosaj dhe Gjergj Leka”.
Duke lënë kështu pas çdo emision të televizioneve të tjera shqiptare. Po ashtu në Itali video renditet në vendin e tretë madje edhe në Zvicër në vend të 17-të e Greqi në vend të 16-të.
Për herë të parë në “Shihemi në Gjyq” dy artistë përballen me njëri – tjetrin. Kënga “Të ka lali shpirt” e kënduar nga Mandi Nishtulla dhe Silva Gunbardhi në vitin 2013, u bë hit ndërkombëtar dhe aktualisht shënon mbi 626 milionë klikime në YouTube.
Të gjitha këto klikime përkthehen në para nga të cilat Mandi Nishtulla pretendon se nuk ka marrë asnjë qindarkë megjithëse ai shprehet se muzika dhe teksti i këngës janë krijuar nga ai personalisht.
Fajin për këtë ia hedh koleges së tij Silva Gunbardhi e cila ka arritur të sigurojë një kontratë nga e cila merr rregullisht 10% të fitimeve.
Mandi Nishtulla i tha sërish Silva Gunbardhit “Të ka lali shpirt” duke arritur një paqe mes tyre në “Shihemi në Gjyq”.
Artistët i kanë dhënë dorën njëri – tjetrit me premtimin se kjo çështje nuk do diskutohet më në publik mes tyre.
Të gjitha të drejtat autoriale dhe të shfrytëzimit pasuror të këngës “Të ka lali shpirt” nga klikimet në YouTube, Mandi do i kërkojë në rrugë ligjore me protagonistët e tjerë, jo me Silva Gunbardhin. /tvklan.al