Gjykata refuzon kërkesën e Amber Heard për të rrëzuar padinë e Johnny Depp
Gjykatësja amerikane që dëgjoi padinë për shpifje të ngritur nga ylli i “Pirates of the Caribbean”, Johnny Depp kundër ish-bashkëshortes së tij Amber Heard, refuzoi kërkesën e Heard për të rrëzuar padinë e Depp.
Avokatët e aktores i kërkuan gjyqtares Penney Azcarate të rrëzonte padinë. Ata pretenduan se Depp kishte dështuar të provonte se ishte shpifur për të në artikullin e vitit 2018 të botuar në The Washington Post, në të cilin Heard e përshkroi veten si një “figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”.
Gjykatësja tha se deri më tani ishin paraqitur prova të mjaftueshme për të lejuar vazhdimin e çështjes dhe ajo do t’ia linte jurisë për të vendosur.
Johnny Depp ka ngritur padi për faktin që pretendimet dhe akuzat e saj i kanë shkatërruar karrierën dhe kanë ndikuar te reputacioni i tij. Aktori pohon se nuk e ka goditur kurrë Amber Heard, pretendimet e saj për dhunë në familje janë të sajuara dhe ishte ajo që ushtroi dhunë gjatë martesës.