Gjon Muharremaj tregon kuptimin emocionues që ka emri i artit Gjon’s Tears
Gjon Muharremaj tregoi në një intervistë për “A live night” kuptimin që ka emri skenik i tij, Gjon’s Tears.
“Erdhi gjyshi për pushime në shtëpinë tonë dhe kisha një piano elektrike dhe te piano kisha një këngë, ‘Can’t Help Falling in Love’ të Elvis Presley-t, shtypa butonin dhe nisi kjo kënga. Më tha ‘A mund të ma këndosh?’. Unë thashë me vete që paska lajthitur gjyshi sepse unë nuk kam kënduar asnjëherë, nuk di të këndoj. E mësova dhe para se të ikte, ia këndova. Nisi të qante dhe në atë moment kam kuptuar vlerën dhe rëndësinë e muzikës, kuptova që mund t’i prek njerëzit në atë mënyrë. Në kulturën shqiptare dhe atë të Kosovës, gjyshërit janë të fortë, nuk qajnë kurrë dhe në atë moment kur shoh njeriun më të fortë të jetës sime me lot, ishin lotët shumë simbolikë dhe shumë të rëndësishëm për mua.”
Gjoni shtoi se kur u rrit dhe konceptoi emrin Gjon’s Tears, gjithmonë i ka ruajtur lotët si element vizualë në paraqitjet e tij skenike. “Gjyshi gjithmonë më ka thënë ‘e di që do bëhesh i madh, por s’do të jem këtu për të parë’. E jam përpjekur të bëj sa më shumë, të shkoj sa më shpejt, me më shumë fuqi që t’i shohë ai [arritjet e mia].”
“Ai ishte fillimi i gjithçkaje. Pa atë nuk do të bëja asgjë. Muzikën ai ma zgjodhi,” përfundoi ai.
Gjoni ka lindur në Zvicër nga dy prindër shqiptarë, babai nga Kosova, ndërsa nëna nga Tirana. 11 vjet më parë, Gjoni mori pjesë në “Albania’s Got Talent” duke emocionuar Rovena Dilon dhe Armend Rexhepagiqin teksa këndonte “Je t’aime” të Lara Fabian. Në shkurt të 2019-s, artisti ishte pjesëmarrës në “The Voice of France”. Në vitin 2021, Gjoni u shpall si artisti më i votuar nga juria në Eurovizion 2021 ku përfaqësonte Zvicrën, ndërsa llogaritja e 50% të votave të publikut e renditën përfunfimisht në vendin e tretë këngën e tij “Tout l’Univers”.
Anabelmagazine