Gjithmonë misterioze: Kush janë vajzat e Vladimir Putin?
“Kam një jetë private në të cilën nuk lejoj ndërhyrje. Duhet respektuar,” ka thënë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Ai rrallë ka folur publikisht për vajzat, madje identitetet e tyre nuk janë konfirmuar kurrë nga Kremlini dhe asnjë foto e tyre si të rritura nuk është publikuar në rrugë zyrtare.
Vajzat e Putinit u vendosën në qendër të vëmendjes pasi SHBA dhe Bashkimi Europian thanë se do të vendosin sanksione të reja kundër Rusisë. Së fundmi, The Wall Street Journal bëri me dije se Washingtoni po parashikon të marrë masa kundër vajzave të Vladimir Putin dhe Sberbank, bankës më të madhe ruse.
Çfarë ka thënë Putin për të bijat?
“Ato jetojnë në Rusi. Ato nuk janë arsimuar askund tjetër, përveç Rusisë. Unë jam krenar për to; vazhdojnë të studiojnë dhe punojnë,” tha ai në vitin 2015 në konferencën vjetore. “Vajzat e mia flasin rrjedhshëm tre gjuhë europiane. Unë kurrë nuk diskutoj familjen time me askënd. Ato nuk kanë qenë kurrë fëmijë ‘star’, nuk kanë marrë kënaqësi nga qendra e vëmendjes. Ato thjesht jetojnë jetën e tyre,” shtoi ai.
Asokohe, Putin u shpreh se vajzat nuk janë të përfshirë në biznes dhe politikë, por kjo nuk vlen sot.
Kush janë ato?
Zyrtarisht, Vladimir Putin ka dy fëmijë, Maria dhe Katerina. Të dyja janë vajzat e presidentit dhe ish-bashkëshortes së tij Lyudmila Aleksandrovna Ocheretnaya. Dyshja u martuan në vitin 1983 kur ajo ishte stjuardesë dhe ai oficer i KGB-së. Martesa e tyre zgjati 30 vjet, duke përfshirë ngritjen e shpejtë të Putinit në krye të sistemit politik të Rusisë.
Putin dhe Lyudmila u divorcuan në vitin 2013. Asokohe, ai u bë lideri i parë rus që divorcohej që nga koha e Pjetrit të Madh në vitin 1698. Putin tha se “ishte një vendim i përbashkët: ne nuk e shohim njëri-tjetrin, secili prej nesh ka jetën e tij”. Ajo tha se ai ishte “i mbytur plotësisht në punë”.
Maria Vorontsova
Vajza e madhe, Maria Vorontsova, 36 vjeç, është endokrinologe pediatre. Ajo u martua me biznesmenin holandez me origjinë ruse Jorrit Faassen në vitin 2013 dhe jetonin në një apartament në një ndërtesë ekskluzive në Amsterdam. Në vitin 2014, disa fqinjë holandezë kërkuan që ajo të dëbohej nga vendi pas rrëzimit të MH17 (Malasyia Airlines Flight 17) nga forcat pro-ruse në Ukrainë. MH17 ishte një fluturim i planifikuar pasagjerësh nga Amsterdami në Kuala Lumpur që u rrëzua më 17 korrik 2014 teksa fluturonte mbi Ukrainën lindore. Të gjithë 283 pasagjerët dhe 15 anëtarët e ekuipazhit u vranë.
Në vitin 2019, Maria dha një intervistë në televizionin shtetëror rus duke zbuluar planet për një sipërmarrje mjekësore prej afro 500 milionë dollarë që synon të ndihmojë në kurimin e kancerit.
Pas pushtimit të Ukrainës, banorë të Amsterdamit i bënë thirrje Maria-s që t’i lutej të atit për t’i dhënë fund luftës. Në një tabelë të vendosur në pronën e çiftit lexohej: “Më pak se 2000 km nga toka juaj e lirë, babai juaj po shkatërron një vend të tërë të lirë dhe njerëzit e tij. Duket se është e vështirë që të kontaktosh me plakun tënd dhe qartazi e pamundur të ndalosh xhelatët e tij. Por siç e dimë të gjithë, baballarët dhe vajzat janë një histori tjetër.”
Katerina Tikhonova
Katerina Tikhonova, 35 vjeçe, lindi në Dresden në vitin 1986 kur Putin punonte si spiun i KGB-së (KGB – agjencia kryesore e sigurisë për Bashkimin Sovjetik ). Katerina, e cila përdor mbiemrin e gjyshesh nga nëna, ka studiuar në Universitetin Shtetëror të Shën Peterburgut dhe Universitetin Shtetëror të Moskës dhe ka një diplomë master në fizikë dhe matematikë.
Tikhonova ka pasion për kulturën japoneze dhe kërcimin akrobatik rock’n’roll. Në vitin 2013 ajo dhe partneri i saj në kërcim dolën në vendin e pestë në kampionatin botëror në Zvicër. Pamjet nga konkurset e kërcimit, krahasuar me fotot nga faqja e internetit e Universitetit Shtetëror të Moskës, që ndihmuan për të vërtetuar fillimisht se ajo ishte vajza e Putinit.
Katerina u martua me Kirill Shamalov, djalin më të vogël të Nikolai Shamalov, një i besuar i ngushtë i Putinit dhe bashkëpronar i Bankës Rossiya, të cilën qeveria amerikane e ka përshkruar si “banka personale” e zyrtarëve të lartë të Kremlinit.
Çifti u martuan në një ceremoni të fshehtë tre-ditore në resortin ekskluziv të skive Igora në vitin 2013. Ata u divorcuan në vitin 2018. Një hetim nga Reuters në vitin 2015 vlerësoi se çifti kishte prona të korporatave me vlerë më shumë se 2 miliardë dollarë, si dhe një vilë luksoze buzë plazhit në resortin francez të Biarritz.
Katerina ka punuar në role të ndryshme në Universitetin Shtetëror të Moskës. Në vitin 2020, u emërua drejtuese e një instituti të ri “Çështjet e inteligjencës artificiale dhe sistemet intelektuale” me vlerë 1.7 miliardë dollarë. Këshilltarët e saj zyrtarë në universitet kanë përfshirë pesë anëtarë të rrethit të brendshëm të Putinit, duke përfshirë dy ish-oficerë të KGB-së që jetonin në të njëjtin bllok banesash ku ajo u rrit në Dresden.
Vajza sekret…?
Janë përhapur spekulime në Rusi, sipas të cilave Putin ka një vajzë të tretë nga një lidhje shumëvjeçare me Svetlana Krivonogikh, një grua ruse që thuhet se është rritur në një apartament në Shën Petersburg dhe ka punuar si pastruese.
Pandora Papers zbuloi se Svetlana, 46 vjeçe, u bë pronare e një apartamenti në Monako përmes një kompanie offshore që thuhet se u krijua vetëm disa javë pasi ajo lindi një vajzë, Luiza.
Mendohet se nëna e Luiza-s ka qenë e dashura e Putinit në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000. Kremlini ka hedhur poshtë sugjerimin se Luiza është vajza e presidentit.