
Gjithë sytë në Vatikan! Figurat publike kujtojnë Papa Françeskun: “Mbrojtës i njerëzve të dobët”
Ndarja nga jeta e Papa Françeskut është një lajm i trishtë për gjithë besimtarët e krishterë. Ai ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi shumë të pasur dhe reforma të reja, të cilat synonin ta bënin Kishën më gjithëpërfshirëse dhe pranë njerëzve. Ai ngriti kauza për komunitetin LGBT dhe qëndroi edhe para lidërve botërorë kundër luftës së Izraelit në Gaza.
Përmes një postimi në Instagram, Edi Rama u shpreh: “Lamtumirë, At i Shenjtë, mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë”.
Lulzim Basha
Lulzim Basha publikoi një video në Instagram, ku mes të tjerash shkroi: “Me dhimbje të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, një udhëheqës shpirtëror i përulur, simbol i dashurisë, paqes dhe përkushtimit ndaj më të varfërve”.
Andrzej Duda
Liderët botërorë dhe personalitete të ndryshme të botës i bënë homazhe të shumta Papës së ndjerë. Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, tha se Françesku ishte udhëhequr nga “përulësia dhe thjeshtësia” gjatë gjithë shërbesës së tij.
Emmanuel Macron
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Françesku ishte gjithmonë në anën e më të pambrojturve – dhe e kishte bërë këtë me një përulësi të madhe.
“Në këtë kohë lufte dhe brutaliteti, ai kishte një ndjeshmëri për tjetrin, për më të brishtët,” u tha Macron gazetarëve gjatë një vizite në Mayotte.
Kaja Kallas
Diplomatja më e lartë e BE-së, Kaja Kallas, tha se edhe ajo ishte pikëlluar kur mësoi për vdekjen e Françeskut: “Kur u takuam së fundmi në Romë, i shpreha mirënjohjen Papa Françeskut për udhëheqjen e tij të fortë në mbrojtjen e njerëzve të pambrojtur dhe në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor,” tha ajo. “I shpreh ngushëllimet e mia të gjithë katolikëve në botë.”
Dick Schoof
Kryeministri i Holandës, Dick Schoof, tha se “mënyra e përmbajtur e jetës [dhe] aktet e shërbimit dhe dhembshurisë” e bënë Françeskun një model për shumë katolikë dhe njerëz të tjerë”.
Olaf Scholz
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se me vdekjen e Papa Françeskut, “kisha katolike dhe bota humbin një avokat të njerëzve më të dobët, një person të paqtë dhe zemërgjerë”.
Isaac Herzog
Presidenti izraelit, Isaac Herzog, ofroi ngushëllime për të krishterët në Izrael dhe në mbarë botën:
“Ai me të drejtë i dha rëndësi të madhe forcimit të lidhjeve me botën hebreje dhe avancimit të dialogut ndërfetar si një rrugë drejt mirëkuptimit më të madh dhe respektit të ndërsjellë,” tha Herzog.
Edhe pse marrëdhënia e Izraelit me Françeskun ishte tensionuar gjatë 18 muajve të fundit për shkak të thirrjeve të Papës për t’i dhënë fund luftës në Gaza, Herzog shtoi: “Shpresoj me gjithë zemër që lutjet e tij për paqe në Lindjen e Mesme dhe për kthimin e sigurt të pengjeve të marrin përgjigje së shpejti.”
Christopher Luxon
Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, e kujtoi Papën si “një njeri të përulur” që la pas një trashëgimi që përfshinte “përkushtimin e palëkundur ndaj të pambrojturve, drejtësisë sociale dhe dialogut ndërfetar”.
JD Vance
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance – i cili pati një takim të shkurtër me Françeskun në mëngjesin e së dielës në Romë – tha se zemra e tij ishte me miliona katolikë në të gjithë botën që e kishin dashur Papën:
“Isha i lumtur që e pashë dje, edhe pse ai ishte dukshëm shumë i sëmurë. Por gjithmonë do ta kujtoj për predikimin e mëposhtëm që mbajti në ditët e para të Covid-it. Ishte vërtet shumë i bukur. Zoti e pastë në paqe,” tha Vance, duke ndarë tekstin e një lutjeje të mbajtur nga Françesku në vitin 2020.
Vladimir Putin
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Françesku fitoi famë ndërkombëtare si “një shërbëtor besnik i mësimeve të krishtera, një figurë e mençur fetare dhe shtetërore dhe një mbrojtës i qëndrueshëm i vlerave të larta të humanizmit dhe drejtësisë”.
Narendra Modi
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, e përshkroi Papën si një “fener dhembshurie”, ndërsa presidenti egjiptian, Abdel Fatah al-Sisi, e quajti Françeskun një “zë paqeje, dashurie dhe dhembshurie”.
Stephen Cottrell
Në Mbretërinë e Bashkuar, Stephen Cottrell, kryepeshkopi i York-ut dhe udhëheqësi i përkohshëm i Kishës së Anglisë, i bëri homazh një “njeriu të shenjtë të Zotit” që ishte thellësisht i përkushtuar ndaj të varfërve dhe ndaj mjedisit: “Mbaj mend, në ato pak momente të kaluara me të, se si ky njeri i shenjtë i Zotit ishte gjithashtu shumë njerëzor,” u shpreh ai.
Tony Blair
Ish-kryeministri britanik Tony Blair, i cili u konvertua në katolik pas largimit nga detyra, e kujtoi Papën e ndjerë si “një shërbëtor të jashtëzakonshëm dhe të përkushtuar të kishës katolike, i admiruar si brenda ashtu edhe jashtë saj për përulësinë, dhembshurinë dhe përkushtimin e palëkundur ndaj besimit të krishterë dhe shërbimit për gjithë njerëzimin – të krishterë dhe jo të krishterë.”
Anabelmagazine