Gjeti portofolin me shifrën e majme dhe e dorëzoi, kush është futbollisti që u vlerësua me Certifikatë Mirënjohjeje nga Policia e Shtetit

Xhojsi Lamaj, futbollisti që sezonin e shkuar ishte pjesë e AF Luftëtarit në Kategorinë e Dytë, u vlerësua me Çeretefikatë Mirënjohje, pasi gjeti një portofol, me vlerë të konsiderueshme, dhe e dorëzoi në polici.

Pas angazhimit si futbollist, Lamaj, së fundmi ishte regjistruar si kursant për Patrullë të Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë. Gjatë karrierës së tij Lamaj, tashmë 26-vjeç, ka qenë pjesë edhe e Apolonisë në Kategorinë e Parë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku ka vlerësuar gjestin e kursantit për Patrullë të Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë, Xhojsi Lamaj.

Muhamet Rrumbullaku: “Gjesti i kursantit për Patrullë të Përgjithshme është modeli më i mirë që duhet të ndjekin punonjësit e Policisë, në raport me qytetarët. Nga ana tjetër, kjo tregon nivelin e lartë të mësimdhënies në Kolegjin e Policisë, të përgatitjes dhe të orientimit të kursantëve, të cilët pas përfundimit të Kolegjit, do t’i shërbejnë qytetarëve. Punonjësi i Policisë duhet të jetë mishërimi i vlerave më të mira njerëzore dhe pasqyra ku qytetarët duhet të shohin shpresë, siguri, besim, humanizëm dhe shërbim cilësor”.

Kursanti është falënderuar edhe nga drejtuesit e Akademisë së Sigurisë. Për të vlerësuar gjestin e kursantit Xhojsi Lamaj, rektori i Akademisë së Sigurisë Ilirjan Mandro i ka akorduar dhe dorëzuar atij, Certifikatë Mirënjohjeje.

PANORAMASPORT.AL