“Gjetëm zërin e tij në një kompjuter të prishur”, Aurela Gaçe dhe Stine tregojnë si e “rikthyen” Dr. Florin
Dr. Flori “u rikthye” në një bashkëpunim me Aurela Gaçen dhe Stinen, sikurse dy artistët kishin paralajmëruar së fundmi. Edhe pse Dr.Flori nuk është fizikisht mes nesh, dy këngëtarët kanë sjellë edhe një herë pranë dëgjuesve përmes muzikës.
Të ftuar këtë mëngjes në “Wake Up”, në Top Channel, ata treguan sesi erdhi “S.F.L”, që është shkurtimi i emrave Stine, Flori dhe Lela. Aurela tregoi se ka qenë një rastësi shumë e bukur, pasi duke kontrolluar disa foldera në një kompjuter që ishte prishur prej muajsh, gjeti të regjistruar zërin e Florit.
“Jam mpirë totalisht kur e kam dëgjuar. Nuk e besoja. E dëgjova prapë. Thashë me patjetër që do të bëjmë diçka”, tha ajo, duke shtuar se kanë marrë lejen e familjarëve të Florit. “Jemi treguar shumë të kujdesshëm në gjithçka, i kemi menduar me detaje dhe kështu erdhi kënga e re”, thanë dy këngëtarët.
Dr.Flori u nda nga jeta 6 vite më parë, në një moshë shumë të re, por ai la pas pafund hite që dëgjohen ende sot e kësaj dite. Miqtë e tij e kanë kujtuar gjithnjë përgjatë këtyre viteve dhe gjesti i fundit i Aurelës dhe Stines duke e “rikthyer” për gjithë dëgjuesit është vlerësuar pa fund, siç shihet edhe nga komentet në YouTube.
/News31