Gjendja shëndetësore/ Fatos Nano në orë të vështira për jetën

Ndërsa të mërkurën u dha lajmi se gjendja e ish liderit historik të PS, Fatos Nano, po shkonte drejt përmirësimit, një mesazh i sotëm i pasardhësit të tij, kryeministrit Rama, i ka rënë këmbanave të alarmit. Në një postim ku shpallte se e nderonte Nanon me dekoratën e “Yllit të mirënjohjes”, shefi i qeverisë thoshte hapur se ai po kalon “orë të vështira” dhe se “është në luftë për jetën.

Ish kreu i PS në vitet ‘1991-2005 (shiko videon poshte) u shtrua para dy ditësh në pavionet e spitalit Hygea dhe lajmi që u dha është se gjendja e tij ishte aq e rënduar sa i duhej të shkonte drejt e në reanimacion për t’u intubuar.

Ky lajm i keq u zbut një ditë më vonë madje u njoftua se Fatos Nano ishte përmirësuar dhe po bëhej gati ta linte spitalin. Informacionet ishin kaq shumë kundërthënëse, pasi rreth fatit të pacientit më VIP të spitalit, ekzistonte një kujdes i hekurt për ruajtjen e sekretit shëndetësor. Po burime nga spitali, të konfirmuara edhe nga të afërm të ish liderit socialist, pohuan për Lapsi.al se gjendja e të sëmurit është shumë e rëndë. “Ajo rrezikon të jetë edhe pa kthim”, tha burimi kur u pyet për faktin se përse Edi Rama foli për “orë të vështira të luftës me jetën”. “Ai u rifut në intubim pasi gjendja u përkeqësua. Ai vuan nga fibroza pulmonare e cila i ishte përkeqësuar shumë që pasi kaloi një covid të rëndë” tregoi burimi.

“Edhe “Ylli i mirënjohjes” i’u akordua në këto momente që ai të përjetojë që në të gjallë të vet, nderimin që i jep partia të cilën e drejtoi, e modernizoi dhe e shndërroi nga një karakatinë e trashëgimisë komuniste, në një forcë europiane anëtare të internacionales socialiste”, pranoi për Lapsi.al, një burim nga kryeministria. Rama shkroi në një mesazh se lutet për tv ndërsa socialisti i vjetër Erion Braçe pasi u njoh me gjendjen e tij të rënduar bëri një postim: “Ti nuk dorëzohesh”Ndonëse gjendja e Nanos mbahet sekret sëmundja e tij ka lidhje me sistemin respirator dhe se ai vuante prej disa javësh nga vështirësi të thella në frymëmarje.

Nano u largua nga kryeministër në vitin 2005, nga deputet katër vite më pas dhe që prej asaj kohe ka pasur vetëm dalje fare të rralla në publik. Ai u ripajtua me njeriun që përkrahu më shumë por dhe që urreu më shumë në vitet e feundit, Edi Rama dhe i ka bërë atij në raste festash apo fushatash një përkrahje të moderuar. Bashkë me zhdukjen nga skena publike, Nano u zhyt në një tërheqje dhe jetë sedentare që me siguri ka ndikuar në shëndetin e tij.

©Lapsi.al