Gjenden trupat e copëtuar në valixhe të çiftit nga Vlora/ Djali i tyre shpallet në kërkim ndërkombëtar
Të premten e shkuar u gjetën të copëtuar dy trupa njerëzorë në katër valixhe, pranë autostradës Firence-Pisa-Livornou. Media italiane “Corriere della Sera” ka konfirmuar se bëhet fjalë për çiftin shqiptar Shpëtim dhe Teuta Pasho, që rezultonin të zhdukur që prej 2 nëntorit 2015.
Autoritetet kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar djalin e tyre, 33-vjeçarin Taulant Pasho, si personi që i pa prindërit, ditën kur ata u zhdukën. I riu ishte dënuar 4 vite për lëndë narkotike, dhe pikërisht në datën 2 nëntor Shpëtimi dhe Teuta shkuan para burgut Sollicciano për të takuar dhe përqafuar djalin e tyre, që më fund do t’i shpëtonte qelisë dhe do të lirohej.
Në të njëjtën ditë burrë e grua kanë humbur gjurmët, për t’u gjetur gjysmë dekade më pas, të copëtuar dhe futur në valixhe.
Taulant Pasho është personi kyç që mund të zgjidhë misterin e vdekjes së prindërve të tij, të cilët mbërritën nga Shqipëria për ta takuar.
Teksa vrasja e çiftit mbetet enigmë, hetimet po marrin në konsideratë disa pista. Nuk përjashtohet mundësia që e gjitha kjo të ketë ndodhur si një mënyrë hakmarrjeje nga Taulanti, për të cilin ekziston mundësia të ketë pasur kontakte me krimin e organizuar.