Gëzim Myshketa: Të gjithë e kemi humbur pak busullën… jetojmë si “skllevër” të rrjeteve sociale
Gëzim Myshketa, lindi në vitin 1982 në Durrës. Gjatë studimeve për kanto ra në sy si një nga më të talentuarit e brezit të tij.
U diplomua me nota maksimale në Konservatorin “Arrigo Boito” në Parma, nën drejtimin e mjeshtrave Giuliano Ciannella dhe Lelio Capilupi.
Ishte vetëm 20 vjeç kur debutoi në rolin e Figaros në “Le Nozze di Figaro” nën dirigjimin e Antonello Allemandit, për të vazhduar tutje me role tjera të shumëta, në skena të mëdha botërore.
Gëzim, ju jeni një emër i njohur në muzikën shqipe dhe atë botërore. A mund të na tregoni si ishin fillet tuaja, dhe sa ishte e vështirë të depërtonit dhe të renditeni krahas këngëtarëve më të njohur në botëror?
Më lejoni të dërgoj nëpërmjet kësaj interviste një përqafim virtual për të gjithë motrat e vëllezërit shqiptarë të Kosovës.
Fillimet kanë qenë në një shtëpi me dru e tallazh të quajtur Barakat e italianëve. Ishte aty ku regjimi kishte detyruar me qëndrim banese familjen Myshketa e cila para pak vitesh kishte qenë një nga familjet tregtare më të pasura të qytetit.
Në ato baraka jetohej varfër por denjësisht e mbi të gjitha bëhej shumë muzikë! Një familje tejet e zgjeruar me dhjetë fëmijë që u rritën po aty e krijuan familjet e tyre. Që të gjithë luanin në instrumenta muzikorë e këndonin. Kënga i bënte të ndiheshin të lirë, të trasportoheshin virtualisht në një realitet me ngjyra e pa kufinj ndryshe nga zymtësia e viteve dhe privacioneve të asaj kohe…
Muzika më goditi dhe mua pjesëtarin më të ri të kësaj dyzine artistësh.
Po të kthehemi pas në kohë, dhe ta krahasojme me sot, cilat ishin prioritetet që një artist kishte asokohe, kur filluat ju, dhe cilat janë prioritetet që një artist ka sot?
Në radhë të parë duhet një debat i tërë mbi çka është art dhe artist sot dhe çka jo.
Nuk ka breza më të mirë a më pak të mirë artistësh. Si dje dhe sot ka të rinj fort të talentuar që punojnë me pasion e me durim duke përballuar sakrifica të jashtëzakonshme siç ka edhe “sharlatanë” e shitës tymi…
Prioriteti im ka qenë dhe mbetet cilësia e artit që bëj dje dhe sot. Përfitimi ekonomik nuk ka qenë kurrsesi objektivi kryesor. Gjithnjë kur përfitimi ndikonte negativisht në cilësinë e karrierës sime pa asnjë keqardhje i kam mbyllur derën.
Na fol pak për individualitetin artistik. D.m.th, sa i kujdesshëm jeni që të mos bini pre e rutinës në art, në mënyrë që t’i shmangeni klisheve?
Ah kjo është e vështirë. Në shumicën e rasteve interpretoj vepra që menaxherët që më përfaqësojnë koordinojnë me teatrot lirik. Dy janë zgjedhjet që bëj për të mos rënë pre e klisheve: Varieteti i repertorit i cili tashmë numëron 61 role dhe alternimi i aktivitetit artistik. Pra shpesh në mes të operave preferoj të bëj edhe ndonje inkursion në zhanre të ndryshme muzikore si edhe të ushqej pasionin tim për regjinë operistike.
Ju jeni quajtur “Makbethi i parë operistik shqiptar”, kjo për shkak të rolit që e patët në interpretimin e krijimit të Verdit. A mund të na flisni për përvojën që e patët në këtë operë, e sidomos për faktin që e keni cilësuar si “rolin më të vëshirë në karrierën tënde”?
Jam quajtur i tillë sepse jam baritoni i parë shqiptar që kam interpretuar këtë kryerol. Deri më tash është roli më i vështirë i karrierës sime pasi jo vetëm vokalisht por sidomos në pjesën interpretative të gërryen përbrenda.
Unë jam karakter impulsiv dhe në skenë nuk kursehem, nuk bëj llogari të lodhjes. Ndaj edhe pas çdo shfaqje të Macbeth isha i dërmuar emocionalisht edhe fizikisht.
Kur jemi te rolet cilin e konsideroni si më të rëndësishmin në karrierën tënde e gjertanishme?
Rolet Verdiane, Macbeth siç thashë më lart, Rigoletto, Jago , Don Carlo , Miller etj.
Keni interpretuar vepra kompozitorësh të njohur, dhe keni kënduar edhe në gjuhë të huaja. Sa e keni patur vështirë?
Në italisht aspak të vështirë pasi tashmë është gjuha ime e dytë. Frëngjisht dhe anglisht po ashtu. Kam patur vështirësi në veprën “Beatrix Cenci” në Strasbourg, e cila përpos që është një pjesë moderne në mënyrën e të shkruarit muzikor është e shkruar në spanjisht.
Problemi i një interpreti më tepër se shqiptimi me korrektësi i fjalëve qëndron në faktin se si artist duhet të dish kuptimin e çdo fjale të vetme e mbi të të zhvillosh karakterin e të drejtosh rolin.
Performuat përkrah shumë artistëve të njohur botërorë, a ka ndonjë me të cilin nuk keni arritur dhe do të dëshironit ta ndani skenën me të?
Pavarotti mbetet ëndrra ime e parealizuar… Një duet me një nga super artistët botërorë që ka nxjerrë Kosova do të ishte një ëndërr tjetër.
Ç’mendim keni për nivelin e këngëtarëve të brezit të ri, kuptohet në fushën që bëni pjesë? Ju rastis të hasni shumë talent?
Ka tepër talent sot… Më ka rastisur vite më parë të bëj një Master Class në Universitetin e Muzikës dhe jam mahnitur duke çfarë zërash të mrekullueshëm që ka Kosova. Mirëpo ky profesion kërkon punë, punë , punë. Ai talent që punon dhe që zgjeron kulturën e tij ka mundësi më të mëdha për të ecur.
A mendon se muzika shqiptare operistike tashmë është konkurruese në botë?
Është konkuruese me elemente të veçantë pra solistë operistik, violinistë, e instrumentistë të ndryshëm. Mendoj që gjithashtu është në rrugë të mirë edhe si bashkësi si entitet kulturor por duhet akoma investim dhe përpjekje e vazhdueshme.
Çfarë mendimesh keni për zhvillimet sot në botë, si ndodhet bota sot, në aspektin tuaj, në këndvështrimin tuaj si artist?
Bota sot nuk është në momentin e saj më rozë. Pandemia, luftrat, kriza po i sfilisin njerëzit. Pikërisht këtu duhet të ndihet prezenca e artit që lehtëson dhimbjet njerëzore.
Si artist e si njeri mendoj se të gjithë e kemi humbur pak busullën e rrugëtimit. Jetojmë si “skllevër” të rrjeteve sociale dhe shpesh na trishtohet dita duke parë pasuritë dhe lumturinë “fake” e më të privilegjuarve. Momente lumturie gjenden edhe në gjërat më të thjeshta në dukje por që ne si shohim sepse vrapojmë të shkujdesur.
Ajo që na ka preokupuar dhe prekur të gjithëve këto vitet është pandemia. Si ka ndikuar Covid-19 tek ju?
Kanë qenë vite të vështira por që më kanë dhënë edhe më tepër forcë për të reaguar. Gjithnjë kam menduar që Covidi të bëj “punën” e tij e unë do të bëj timen. Pandemia as më ka ndaluar e as më ka limituar në pasionet e mia në jetën time.
Ju kohë më parë keni publikuar një album me titullin “Ta dish”. Kujt ja keni dedikuar këtë album dhe a mund të na flisni se çka përmban saktësisht ai?
Ja kam dedikuar Atit tim, njeriu që më ka dhuruar zërin dhe pasionin për muzikën. Albumi përmban perla të muzikës sonë kombëtare të përpunuara mjeshtërisht nga kompozitori Kushtrim Gashi. Është një ëndërr e imja për të krijuar një Antologji të Këngëve të traditës sonë.
A ka ndonjë projekt që jeni duke punuar?
Shumë projekte, një Festival Veror Shqiptar (nuk mundet t’ju them se ku dhe kur) por shpresoj së shpejti.
Pastaj impenjimet e mia të shumta në teatër, Luksemburg, Lille, Marsejë, Tuluzë, Verona, Tokio, Hong-Kong etj.
Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?
Të jetoj me muzikë dhe të jem sado mundet një njeri i mirë e i dashur për njerëzit. Ah po… të hap restorantin tim.
ObserverKult