Getoar Selimi ndan momente nga jeta e re si ortak në biznes me Marina Vjollcën
CEO i “Babastars”, Getoar Selimi, ka postuar në “Instagram” një foto romantike me bashkëshorten dhe tashmë ortaken e tij në biznes, Marina Vjollcën.
“Me shpirtin”, shkruan ai poshtë fotos ku ai shihet tek përqafon partneren, ndërsa janë duke shijuar rrezet e diellit. Por, mes komplimentuesve ka pasur shumë komentues që i kanë tërhequr vëmendjen reperit të famshëm, që të bëjë kujdes e ta shtrëngojë fort partneren, pasi sipas tyre “Marina do t’i ikë një ditë nga duart”.
Kjo, edhe për faktin se në nëntor të vitit që lamë pas u krijua jo pak zhurmë në media, në lidhje me hyrjen në mes të çiftit të një Dj. “Instagram”-i i Marina Vjollcës, e cila është moderatorja e show-t “Klanifornia” tërhoqi vëmendjen e Deejay-t me famë botërore, po ashtu një djalë shumë sharmant, i njohur si “Dj Snake”.
Pas një komenti që i bëri në një foto që Marina kishte postuar, Dj Snake s’e la me aq, pa e vrarë mendjen se ajo është e martuar. Artisti pasanik me famë botërore e komentoi dhe në një video. Marina shihej teksa po realizonte një set të ri fotografik, ndërsa DJ e komentoi duke i dërguar një yll që shndrit.
Kujtojmë që Marina njoftoi e emocionuar se ishte bërë ambasadore e markës së njohur italiane “Elisabetta Franchi” në Shqipëri dhe Kosovë, por dukej se fiksimi i Dj-it tronditi martesën e moderatores me Getoarin. Burime pranë çiftit dëshmuan se mes tyre kishte plasur keq xhelozia dhe se Getoari kishte kërkuar të ballafaqohej me reperin, duke i treguar se ajo nuk është “single”, e për më tepër, është gruaja e tij.
Për ironi të fatit, Dj-i 34-vjeçar është francez, një gjuhë në të cilën Geti vendosi të titullonte duetin me Majk, pikërisht “Je t’aime” (Të dua). Dj. Snake, emri i vërtetë i të cilit është William Sami Étienne Grigahcine, njihet ndërkohë për deputimet “Bird Machine” and “Turn down for what” që në vitin 2013.
Fama e tij është ndërkombëtare dhe në vitin 2016 ai realizoi albumin e tretë “Let Me Love You”, në bashkëpunim me Justin Bieber. Përveç suksesit, pamjes shumë tërheqëse e stilit unik dhe jetës së luksit, ai është një djalë Parisi, qyteti i dashurisë dhe romancave, kështu që sipas ndjekësve nuk është çudi të jetë edhe ekspert në joshje.
Ndaj, komentuesit pyesnin se a e rrezikon Dj. Snake martesën e Marinës me Getoarin? Në fakt, ajo duket shumë e lumtur në krahët e Getoarit, por “e mira s’ka fund”, thumbojnë disa komentues të tjerë, duke lënë të kuptohet se Marina nuk ishte çudi të tundohej. Marina Vjollca dhe Getoar Selimi, si një nga çiftet më të pëlqyera të showbizz-it, kanë qenë shpesh në qendër të vëmendjes së mediave, edhe pse gjithmonë janë treguar tepër të rezervuar.
Por në një intervistë për “Living”, reperi foli për herë të parë mbi marrëdhënien me gruan e tij, Marinën, dhe thashethemet se xhelozia e tij është bërë shkak që ajo të mos punonte për ca kohë në televizion.
“Gjithë jetën më ka shoqëruar problemi i pamjes sime të jashtme, njerëzit më paragjykojnë, sepse u dukem shumë i ashpër, xheloz, agresiv. Në fakt, kur i lexonim ato, unë dhe Marina kemi qeshur, sepse e dimë se sa e kam përkrahur unë atë në punë dhe jo vetëm, por në çdo gjë, sikurse bën dhe ajo me mua. Pastaj, kur e njoha, Marina ishte figurë televizive dhe ato fjalë kanë qenë të tepruara. Unë jam tip që jo për këtë, por dhe për lajme të tjera nuk kam dalë ndonjëherë të flas. Jam indiferent. Nuk flas as mirë e as keq dhe mendoj se kjo është arma më e fortë. Po u mora me një, duhet të merrem me të gjithë. Nëse diçka e kalon kufirin, e injoroj plotësisht; këtë gjë u them edhe administratorëve të faqeve të mia”, është shprehur Geti.
Kujtojmë se pas martesës, Marina qëndroi jashtë televizionit duke pritur projektin më të mirë. Vetëm në prill të 2019-ës, mediat shkruanin se Marina Vjollca shpalli pavarësinë nga Getoar Selimi me poza seksi, direkt pas projektit që e riktheu në televizion. Marina publikoi disa fotografi të reja mjaft provokuese dhe “hot”, ku sipas ndjekësve, me këto poza provokuese, ajo shpalli më në fund pavarësinë nga Getoar Selimi.
Pasi u bë gruaja e tij, u fol se Getoari tregohej fanatik, duke i kontrolluar madje dhe veshjet, që të mos ishin shumë provokuese në spektaklin që ajo moderoi në “Tv Klan”, “C’est la vie”.
Ky set, natyrisht që nuk ishte bërë pa qëllim nga Marina, por ishte një sinjal për rikthimin në ekran. Ndërkohë, përveç karrierës në profesionet përkatëse, çifti i bashkëshortëve kanë hapur tashmë dhe biznesin e tyre, që nis me një dyqan veshjesh markë dhe do të zgjerohet me rrjet restorantesh.
Biznesin e kanë emrtuar “Marget”, një bashkim i emmave të para të emrave të tyre dhe ata janë deklaruar aksionerë 50 me 50 për qind. “Prive” publikoi dokumentin e biznesit të firmosur nga të dyja palët, ku binte në sy fakti që Marina në dokumente zyrtare mban mbiemrin e bashkëshortit, Marina Selimi.
Duket se pas problemeve me ortakët e tij si CEO i “Babastars”, Getoari ka vendosur t’i besojë bashkëshortes, duke zgjedhur atë si partnere.
/Panoramaplus.al