Gerta Shino e ”Big Brother” merr propozim për martesë në Norvegji: ”E pranova me bindje, nuk ka burrë më të mirë se ai”
Ka nisur një jetë re në një vend si Norvegjia dhe pranë të dashurit të saj Florentit. Ish-konkurrentja e “Big Brother 9”, Gerta Shino, ishte e ftuar në studion e “Ftesë në Pesë” me Bieta Sulon, ku rrëfeu të rejat nga jeta e saj personale.
Video-mesazhi surprizë i të dashurit të saj Florentit zbuloi edhe planin e tyre të afërt për martesë, detaje për të cilat Gerta flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Sa kohë u bë që njiheni me Florentin dhe si ka shkuar këto kohë bashkëjetesa juaj në Norvegji?
U bë 3 vite e 5 muaj që ne të dy njihemi, por vetëm 1 vit e gjysmë që jemi së bashku në një lidhje. Bashkëjetesa na ka shkuar shumë mirë, madje, tani që jemi larg, po e ndiejmë shumë mungesën e njëri-tjetrit, jemi mësuar që të jemi gjithë kohën bashkë.
Ju kemi parë në disa video për të qeshur, ku bëni shumë lojëra me njëri-tjetrin? Është kjo një marrëdhënie fantastike apo keni dhe ju grindjet tuaja?
Ajo çfarë shfaqet në video është pak a shumë marrëdhënia që ne të dy kemi gjithë kohën. Jemi shumë në harmoni me njëri-tjetrin dhe zënkat ndodhin shumë rrallë, madje dhe në momentin që debatojmë për diçka, pas gjysmë ore e kemi harruar çfarë ka ndodhur dhe vazhdojmë gjërat tona normalisht.
Ai është parukier në profesion, për cilat tipare të portretit të komplimenton dhe cilat jo?
Në fakt, jam unë ajo që jam pak më kritikuese ndaj vetes, siç jemi ne femrat në përgjithësi që gjithmonë do të nxjerrim ndonjë gjë që nuk na pëlqen. Ndërsa ai më thotë që jam shumë mirë dhe nuk kam nevojë të ndryshoj asgjë në veten time, madje më thotë: “Nëse ndryshon diçka, nuk do ishe më Gerta. Gerta që unë dua është kështu siç je tani, pa ndryshuar asgjë”. Jam me fat!
Puna që ka e afron me femrat. Bëhesh xheloze për afrimitetin e tij me të tjerat?
Florenti nuk ka afrimitet me asnjë femër tjetër përveç meje. Çdo marrëdhënie tjetër që ka me femrat është si dikush që i shërben klientit të vet. Ai nuk quhet afrimitet, ajo është punë. (Qesh)
Po ti me çfarë merresh aktualisht në Norvegji, cila është puna jote atje?
Unë, siç ndoshta e keni parë, ose nëse akoma nuk e keni parë mund të më ndiqni tani pasi jam bërë YouTuber. Kam kanalin tim, të cilin mund ta gjeni me emrin Gerta Shino.
Mendon se fati ishte ai që të solli djalin e ëndrrave, apo për këtë ndikoi fama që more në “Big Brother”?
Më shume se fama do të thosha fati. Fama nuk ndikoi fare në marrëdhënien tonë, pasi ne kishim shumë kohë që njiheshim bashkë. Ka qenë thjesht fat që ne jemi bashkë sot.
Tashmë dimë që sapo ke marrë edhe propozimin për martesë. E prisje dhe si u ndjeve?
Po deri diku e prisja, duke e njohur Florentin. Normalisht që u ndjeva shumë mirë se janë shumë të rrallë meshkujt që i shprehin ndjenjat aq hapur. Propozimi ishte diçka që do të ndodhte sot apo nesër, sepse kemi pasur një lidhje shumë intensive dhe ishte diçka shumë normale për të dy ne.
Si do të jetë ceremonia juaj dhe keni bërë plane për fëmijë?
Akoma nuk i kemi bërë planet e ceremonisë, pasi mund edhe të mos bëjmë ceremoni fare, pasi do varet çdo gjë nga rrethanat. Ndërsa për fëmijë, e dimë që një ditë do të krijojmë një familje së bashku. Kur të jetë e shkruar do e kemi dhe një fëmijë.
Edhe pse jeni një hap larg celebrimit, ndodh që ke dyshimet e tua për këtë martesë?
Jo, fare. Jam 100% e sigurt që kam bërë zgjedhjen e duhur. Nuk kam asnjë dyshim që Florenti është personi ideal për mua, nuk ka më të mirë se ai.
Këto vite e ke njohur dhe më shumë gjatë bashkëjetesës në Norvegji. Si është jeta juaj?
Do e cilësoja si jetë familjare. Gjithë kohës jam me Florentin dhe kur dalim jemi përsëri së bashku. Mua, për vete, më duket fiks si jeta e dikujt që është familjar. (qesh)