Gerta Matohiti: Partneri im në biznes është dhe partneri në jetë, ju rrëfej dashurinë për djalin që do të jetë babai i fëmijëve të mi

Pesë vite më parë Gerta Matohiti ishte vajza simpatike që trazoi ujrat me hyrjen e saj në “Big Brother 5”. Edhe pse ajo mori famën e mjaftueshme për të vazhduar në qendër të vëmendjes publike, Gerta zgjodhi jetën larg medias. Për partnerin që e bën të lumtur, biznesin në çift dhe planet për martesë e fëmijë, ajo flet në këtë intervistë të parë për revistën “Story”.

Kanë kaluar pesë vite nga pjesëmarrja jote në “Big Brother”. Si e kujton sot atë eksperiencë televizive?
Po, ekzaktësisht pesë vite kanë kaluar. Ka qenë një eksperiencë e bukur në kohën e duhur dhe në moshën e duhur. E kujtoj me nostalgji gjithmonë, por vetëm kaq. Nuk ka ndryshuar asgjë në jetën time pas “Big Brother”, përveç faktit që disa njerëz më drejtohen: Ku të kam parë?
Pas lojës, more propozime për të punuar në televizion, apo ndonjë ofertë tjetër të rëndësishme?
Oferta pune patjetër që kam marrë, por jo në televizion. Nuk e kam lakmuar televizionin dhe prandaj edhe kam zgjedhur të jem jashtë botës së showbiz-it.
Kur ishe në lojën e “Big Brother” u komentove si vajza e bukur dhe koketë e shtëpisë. Në jetën reale të ka ndodhur të jesh qendra e vëmendjes për djemtë?
Vajzë e bukur s’do të thosha, pasi nuk hyj tek femrat e bukura dhe ç’është e vërteta nuk më pëlqen të jem e tillë. Simpatike mund të them më saktë. Sa për koketë ka qenë thjesht një fjalë e thënë gabim prej një banori të asaj kohe, por besoj se ka pasur më koketa dhe më të bukura se unë atë sezon. Nuk jam natyrë, që zgjohem dhe fle me idenë të jem e dëshiruar, apo të marr vëmendjen e meshkujve. Për mua është e rëndësishme të kem vëmendjen e atij që dua unë, dhe ia kam arritur.
Cilat kanë qenë angazhimet e tua këto kohë atëherë?
Po bëhen dy vite që unë me të fejuarin tim jemi pronarë të një restorant peshku (Vila e Peshkut), dhe unë merrem me menaxhimin e restorantit. Ka pasur sukses falë punës dhe përkushtimit tonë dhe të stafit normalisht. Jemi si familje e vogël, por më shumë dashuri pasi dashuria vjen nga stomaku apo jo?!
Partner në punë dhe në jetë pasi e ke prezantuar për miqtë me fjalët “My love”. Ç’mund të na tregosh për djalin që të ka rrëmbyer zemrën?
Djali për të cilin kam shkruar “My love” nuk është thjesht i dashuri im, ai është shoku im më i mirë, partneri im i jetës dhe do të jetë babai i fëmijëve të mi. Është njeriu më i mrekullueshëm, që më fal vetëm gëzim dhe buzëqeshje në çdo minutë të jetës, që nga dita që jemi bashkë.
Kur keni plan ta zyrtarizoni lidhjen me martesë?
Lidhja jonë është zyrtarizuar tashmë, pasi na ka mbetur pikërisht vetëm dasma. Unë dhe partneri im jemi njohur në shoqëri, dhe kemi qenë miq, dhe pse kishte një tërheqje që në atë kohë. Pas një viti vendosëm të lidheshim bashkë, dhe tashmë kanë kaluar dy vite të lumtura, ndërkohë që bashkëjetojmë.
Sa ndihesh e plotësuar në aspektin e parasë? Shkëmbeni dhurata dhe nëse do të pyesnin bën jetë të zakonshme apo luksi, si do të ishte përgjigjja jote?
Jeta e luksit apo dhuratat nuk të bëjnë të lumtur. Nuk them që s’më pëlqejnë dhe nuk marr, por mendoj se familja është më e rëndësishme se fama apo paratë. Nëse do të zgjidhja mes dikujt që s’e dua, por më premton jetë luksoze dhe atij që dua, do të zgjidhja atë që dua, dhe një jetë normale, por të lumtur. Unë jam e lumtur dhe me një dhuratë jo të shtrenjtë, por nga dikush që më do dhe më respekton.
Janë pushimet pjesë dominuese e stilit tuaj të jetesës, dhe ku preferoni të pushoni?
Ne sapo jemi kthyer nga pushimet me miqtë tanë në Korfuz. Këtë muaj mund të ketë shkëputje ditore në Jug të Shqipërisë, për arsye sepse kemi edhe restorantin. Më pas nuk e kemi planifikuar ende, e rëndësishme është që do të jemi bashkë.