George Clooney mbush 60-vjeç!
Ylli hollivudian George Clooney sot mbush 60-vjeç. Mes virtyteve që e karakterizojnë, kryeson angazhimi në çështje sociale por aktori nuk mbetet pas për karizmën e talentin kinematografik. Edhe këtë ditëlindje e shfrytëzoi për kauzën e radhës, të bëhet zëdhënës i kompanisë amerikane Omaze, në favor të të drejtave të njeriut. Në një video, apelon për mbledhjen e fondeve. Ai është edhe shoku më i ngushtë i kolegut Brad Pitt, madje jo vetëm kaq, njëherazi një prej fansave më të çmendur të tij e nuk e fsheh pasionin për të.
Por si i përjeton 60 vite?
Jo pa ironi, aktori, regjisori, producenti e sipërmarrësi zbulon për “Entertainment Tonight” se nuk ndihet entuziast por se sipas tij “është më mirë se të vdesësh!”.
Më tej tregon se në realitet ndihet i lumtur dhe i bekuar me bashkëshorten Amal Alamuddin, me të cilën u martua në 2014-ën e kanë dy fëmijë. Përveçse çift që ka bërë të ëndërrojë Hollivudin, ata janë prindër të binjakëve tre vjeçarë Alexander dhe Elia. Nisur nga angazhimet sociale e politike ka njerëz që një ditë i shohin në Shtëpinë e Bardhë. Disa herë, George dhe Amal kanë përkrahur Hillary Clinton-in e kanë dalë kundër ish-presidentit Donald Trump.
I lindur në Lexington në vitin 1961, George Clonney u rrit në një familje të lidhur me spektaklin. Babai ishte prezantues televiziv ndërsa nëna, pjesëmarrëse në konkurset e bukurisë. Në venat e George-it ka gjak anglez, irlandez e gjerman.
Edhe pse nuk u diplomua asnjëherë, në shkollë merrte nota të mira. Ndërkaq, fillimet në kinematografi ishin disi zhgënjyese. Pesë herë u kërkua në provë nga regjisori Ridley Scott për një rol në filmin e vlerësuar me Oscar “Thelma&Louise” por në fund roli shkoi për Brad Pitt, i panjohur në atë kohë.
Duhej të vinte fundi të viteve ‘90, Clooney u shndërrua në “vlerë të sigurtë” për producentët dhe kjo falë titujve mainstream si “Batman&Robin”. Gjithashtu interpretoi me gurun amerikan Terrence Malick, si dhe në krah të aktoreve Michelle Pfeiffer e Nicole Kidman, me të cilat ruan miqësi të ngushtë.
Në 2022-shin presim ta shohim në krah të Julia Roberts në melodramën romantike “Ticket to Paradise” të xhiruar në Australi dhe të ndaluar përkohësisht për shkak të COVID-it.
Top Albania Radio