George Clooney: Kisha bindjen se jeta po më shpërblente vetëm me karrierë, pastaj takova Amal dhe…
Të pashëm, të suksesshëm e shumë të dashuruar. Në edicionin e 46-të çmimeve të “American Film Institute”, George Clooney dhe Amal Alamuddin kishin sy vetëm për njëri-tjetrin. “Nuk mendoja se do të merrja kaq shumë gjëra në jetë, tha aktori 57-vjeçar, gjatë ceremonisë ku iu dorëzua një çmim karriere. “Kisha bindjen që po të ecja në profesion nuk do ta gjeja dot dashurinë e vërtetë”. “Pastaj takova Amalin”, shtoi ai. Me sa duket, ka qenë koha e rrëfimeve në skenë, sepse edhe avokatja e njohur e të drejtave të njeriut kishte vetëm lëvdata për të shoqin, sipas Top Channel. Për 40-vjeçaren, George është një xhentëllmen në çdo kuptim të fjalës, diçka e rrallë në ditët tona, e që deri diku konsiderohet madje e humbur dhe e vjetëruar. “E takova Georgen, kur isha 35 vjeçe dhe kisha nisur të mësohesha me idenë se mund të mbetesha beqare për tërë jetën, u shpreh ajo. “Sot unë them se nuk do të kisha dashur të isha me asnjëri tjetër”. Komentet e të dyve tërhoqën në mënyrë të veçantë vëmendjen e medieve rozë, për faktin e thjeshtë se çifti Clooney rrallëherë e ka shfaqur në publik afeksionin e tij dhe është treguar gjithmonë i kujdesshëm e mjaft i mbyllur për sa i takon jetës private.