Genti & Teodora Furxhi: U martuam me bekimin e Papa Françeskut, pse lidhëm kurorë pasi u bëmë prindër

Një çertifikatë me firmën e Papa Françeskut u mbërriti me postë nga Vatikani ditën që u ngjitën në altar, në prani të vajzën së tyre të vogël Tegis. Dasma e Genti dhe Teodora Furxhi mban datën 24 Maj 2014, një itenerar spektakolar që nisi me fotot artistike e përfundoi me muajin e mjaltit të Turqi. Për revistën “Story” kësaj here rrëfehet dhëndri, djali i një prej aktorëve legjendë të kinematografisë shqiptare, të ndjerit Vangjush Furxhi. Si ideator dhe organizator i dasmës së tij, ai rrëfen detajet e personalizuara të një ceremonie martesore ndryshe nga të tjerat.

Si e kujtoni historinë tuaj, kur dhe si u njohët?
Nuk e kujtoj shumë mirë fillimin, u takuam për herë të parë në një festë.
Ishte dashuri me shikim të parë?
Po, e dashurova Teodorën që në momentin e parë.
Sa kohë nga njohja vendosët të martoheni, si ishte momenti i propozimit?
Propozimi për martesë ishte sa i papritur, aq edhe spontan për partneren. Një fundjavë në bregdetin e Radhimës në një xhiro buzë detit i them Teodorës: “Dua të të them diçka, po më mirë fute dorën tek xhepi im. Nga aty doli unaza dhe isha aq i emocionuar sa i thashë: “I harrova fjalët që do të të thoja… Të dua, dua të kaloj jetën time me ty, a do të martohesh me mua?”. Sigurisht që përgjigja ishte “Po”. Në fakt martesa u bë pas 5 vjetësh, kur tashmë në jetën tonë prej dy vitesh e gjysmë ishte dhe vajza Tegis, dashuria jonë.
Si e përjetuat momentin e ngjitjes në altar?
Altari ishte pjesa më emocionuese e gjithë dasmës. Ceremonia u zhvillua në Kishën Katolike “Zemra e Krishtit”, kishë në të cilën ishin kurorëzuar në martesë gjyshërit e prindërit e Todorës. Një kishë, e cila mbart kujtime dhe për ne të dy. Momenti më emocionues ishte kur më shoqëronte vajza jonë e vogël drejt altarit. E ndërsa aty vinte Tetodora me vëllain, shoqërueset, shoqëruesit dhe fëmijë të vegjël. Ishte shumë bukur kur shkëmbeje betimet, të cilat gjithë jetën i ke dëgjuar në filma. Një kishë e mbushur plot me dashuri dhe lotë gëzimi. Çdo gjë ishte e personalizuar, duke filluar që nga ceremonia e përshkruar në libër ku mbante si titull dy emrat tanë. Konfetat me degë ulliri dhe kryqe që simbolizojnë paqen, dhe ajo që godiste më shumë ishin lulet natyrale e punuara aq bukur nga Irena. Ceremonia u përmbyll me hedhjen e orizit dhe karameleve, ndërsa lëshuam në qiell jo dy pëllumba siç bëhet zakonisht, por nëntë pëllumba. Vajzat që prisnin buqetën e nuses dhe foto pafund…
Një përshkrim i bukur sa na erdhi i gjallë gjithë momenti i altarit sikur të ishim aty. Po flasim pak për ceremoninë e darkës, ishte moderne apo tradicionale?
Ishte e ndërthurur. Dasmën do e ndaja në tri pjesë; e para ishte ajo e realizimit të fotove artistike që na mori 3 ditë kohë. Fotot u realizuan në Jalë, Vuno dhe Kishën e Shën Mërisë në skutara, vende që na kujtonin momentet tona të dashurisë. Pastaj ceremonia e kishës do të thoja që ishte pjesa e dytë e dasmës dhe ajo më tradicionalja, por sigurisht që edhe aty kishte elementë modernë. Ndërsa e treta ishte darka, ku motoja jonë ishte që mbi çdo gjë njerëzit duhet të ishin të lirshëm, dhe të shijonin gjithçka në mënyrën e tyre.
Në cilët element të darkës menduat të ishit të veçantë?
Kishim një vit e gjysmë që e donim dhe përgatisnim dasmën, dhe dëshironim që mbrëmja të ishte e ndërthurur. Koktejli ishte si një shfaqje ku performonin “belly dancer” dhe vajzat e flakës Klaudja me Erën. Hyrja jonë në sallë u parapri nga tre çiftet që na shoqëronin, më pas vajza jonë, dhe në fund nën tingujt e Kopja Piu Bela del Mondo të Adriano Çelentanos, për ta përfunduar bashkë me çiftet me “Delilha” të Tom Jones. Mbrëmja pati dhe performanca të tjera si; violinçel nga Iljard Shaba e ngaqë kishim fëmijë menduam që pjesë e performancave të ishin edhe dy rosakët, ku rosaku i ngriti vellon nuses rosë, dhe e puthi në buzë, ndërsa kërcyen bashkë me ta fëmijët dhe të rriturit.
Cilat ishin ato detaje që mund t’i quajmë të personalizuara?
Detaje të tjera interesante ishin numri e tavolinave që nuk ishin numra, por titujt e filmave në të cilat kishte luajtur babai im si; “Dora e ngohtë” apo “Malet me blerim mbuluar”, etj. Në çdo pjatë ishte vendour një kavanoz i vogël me mjalt si për të ëmbëlsuar të ftuarit me mjaltin e dashurisë sonë, detaje këto të punuara nga Kisilda dhe Klevis. Dhe në fund të mbrëmjes përzgjodhëm si dhuratë për të ftuarit nga një çifteli me citatin: ”Muzika mund të ndryshojë botën sepse mund të ndryshojë edhe njerëzit”.
Po njëri-tjetrit i bëtë ndonjë suprizë në ditën tuaj?
Surprizë ime ishte një video-montazh i realizuar në kujtim të dy baballarëve tanë të cilët nuk jetojnë, me dëshirën që edhe ata ishin pjesë e këtij gëzimi. Montazhi vazhdoi me fotot tona që nga fëmijëria e deri tek familja jonë e re. E gjitha shoqërohej nga zëri i im, ndërsa recitoja poezinë e Eseninit.
Ndonjë marrëzi si nuse e dhëndër?
Nuk bëmë ndonjë marrëzi, thjesht shijuam çdo moment.
Çfarë e bënte atë natë më të bukurën e jetës suaj përveç ndryshimit të statusit?
Në fakt si status kishim kohë që e kishim ndërruar. Pavarësisht kësaj ishte një emocion i papërshkueshëm ishte vërtet nata më e bukur e jetës sonë falë Soelës dhe Elisit. Ne shohim sot fotot dhe videon, na duket si një film i bukur dhe emocionohemi po aq shumë sa atë natë. Madje vajza mban mend çdo detaj, dhe kur e sheh qan dhe thotë: “Mami, babi kur do të martoheni prapë ju të dy?” (qesh)
Udhëtuat për muaj mjalti edhe pse tashmë prindër?
Po. Muajin e mjaltit e bëmë në Turqi bashkë me Tegisin (qesh).

Muzika
Dasma u organizua tek “Vila Toskana” dhe ceremonia e tortës u bë në ambientin e jashtëm pranë pishinës aty bëmë dhe një kërcim pranë tortës nën tingut “Cezaria Avoria”. Ndërsa muzika që i shoqëroi gjatë gjithë mbrëmjes ishte e larmishme nga të gjithë trevat e Shqipërisë dhe jo vetëm e mbajtur gjallë nga PIko.
Torta e stilit “Royal”
Torta e punuar nga Arta ishte 9 kate e stilit Royal.
Nusja klasike & Dhëndri në stilin anglez
Qëndruan brenda stilit të tye. Dhëndri u vesh me kostum stil anglez nga Altini, ndërsa nusja zgjodhi dy linja klasike nga Frederika.
Unazat
Në unazat e tyre martesore kanë gdhendur emrat e njëri-tjetrit dhe datën e dasmës.

Skeda e çiftit

Mosha: Genti 35 vjeç – Teodora 26 vjeçe

Profesioni: Nusja është diplomuar për Biologe, dhëndri për Shkenca Politike

Viti i njohjes: 2007

Data e dasmës: 24 Maj 2014

Kujtimi më i veçantë: Për Gentin udhëtimet që kanë bërë bashkë, ndërsa për Tedorën kujtimi më i bukur që ka prej tij është dasma. Dhe për të dy njësoj kujtimi më i bukur është ardhja në jetë e Tegis.

Motoja për martesë jetëgjatë: Sinqeriteti, besimi,respekti dhe dashuria