Gena rrëfen 2018-ën si vitin e hidhur: “Humba njeriun e shtrenjtë që askush s’mund të ma zëvendësojë”
Gjatë këtij viti këngëtari i njohur Gena humbi një person shumë të shtrenjtë, nënën e tij. Në një intervistë për ‘Prive’ ai ka rrëfyer se 2018-a ishte e dhimbshme për të, sepse askush nuk mund ta zëvendësojë nënën. Shumë kohë më parë Gena i ka dedikuar dy këngë mjaft të ndjera nënës së tij, që janë pritur shumë mirë nga publiku.
Megjithatë ai ka treguar se ka patur shumë të vështirë që pas vdekjes së saj të publikonte një tjetër këngë. “Ato ditë që humba nënën u mundova të shkruaja një tekst dhe kam bërë tekst dhe melodi shumë të bukur. Por nuk e vazhdova, sepse nuk më bënte shpirti të nxirrja një produksion t’ja kushtoja nënës sime, sepse do më shoqëronte gjithë kohës ai emocion edhe e lashë të parealizuar”, ka thënë Gena. Ai ka shtuar se kënga ‘Një natë nëna’ është një ndër më të bukurat në karrierën e tij muzikore, sepse transmeton një mesazh për të gjitha nënat si dashuria më e madhe në jetë.