Gazetarja ukrainase bën tatuazh shqiponjën dykrenore
Gazetarja ukrainase Daria Meshcheriakova që tashmë jeton në Kosovë ka zbuluar në një intervistë për “The Geopost” se ka bërë një tatuazh në shenjë të solidaritetit me kombin shqiptar dhe Kosovën në veçanti.
Duke folur për Kosovën, ajo u shpreh se “nga propaganda ruse dhe ajo serbe kishte dëgjuar të pavërteta lidhur me Kosovën”.
“Nuk është hera ime e parë këtu, për të gjithë gazetarët e tjerë është hera e parë në Kosovë. Hera e parë ishte në vitin 2011, atëherë kur studioja në Vjenë, studime juglindore dhe atje mësova shqip.
Ende nuk di të flas mirë. U interesova për situatën këtu, situatën e keqe, sepse mbaj mend që në mediat ukrainase, e përshkruanin krejtësisht ndryshe, dhe unë isha shumë kureshtare për këtë”, – ka thënë ajo.
Meshcheriakova ka treguar edhe arsyen e ardhjes në Kosovë.
“Ne e dinim historinë ndryshe? Dhe erdha këtu, fola me shumë njerëz këtu dhe kuptova se edhe unë isha viktimë e propagandës ruse, si të thuash, propagandës serbe”, – ka thënë gazetarja ukrainase.
Pas agresionit rus në Ukrainë, Qeveria e Kosovës, mundësoi strehimin e një numri gazetarësh ukrainas në Kosovë. Lyudmila Makey, Daria Meshcheriakova, Lyudmila Mekh dhe Serhi Shevchenko tani banojnë në Prishtinë. /Kosova Press