Gazetarja tregon takimin me vajzën e droguar dhe përdhunuar në Vlorë: Pohonte vetëm me sy
Gazetarja Afrovita Hysenaj e cila u kërcënua nga një televizion lokal në Vlorë, pas publikimit të lajmit të përdhunimit të një vajze nga 4 persona, ishte këtë të mërkurë e ftuar në Euronews Albania ku tha se ajo e kishte takuar personalisht vajzën.
Gazetarja tha se vajzën e kishte takuar në momentin kur ajo ishte në spital, sipas saj vajza ka qenë në një gjendje shumë të rëndë dhe e kishte të pamundur të komunikonte, pasi dukej të ishte e shokuar.
“Në datën 23, ditën që vajzës i është marrë dëshmia brenda ambienteve të spitalit ku ajo gjendej, unë e kam takuar vajzën personalisht. Lirshëm jam futur në ambientet e reanimacionit dhe jam munduar të komunikoj me vajzën.
Ishte e pamundur të flitej me vajzën, ajo nuk reagonte, nuk fliste, tundte vetëm kokën dhe konfirmonte me sy dhe shikonte e çorientuar, e çoroditur, e shokuar dhe nuk e di se si në atë gjendje kësaj vajze, i ishte marrë deklarata dhe kjo vajzë paska deklaruar se ka shkuar me dëshirë.
Vajza është rikthyer në spital për t’ju nënshtruar ekspertizës, nuk e di pse nuk ka ndodhur ekspertiza më parë, por shpresoj të dalë e vërteta”, tha ajo.
Gazeta Tema