Gazetarja për vrasjen e 20-vjeçarit në Tiranë: Prindërit të tronditur në spital, s’po e besonin dot

E ftuar në emisionin “Wake Up” në Top Channel, ka qenë gazetarja Dorjana Bezat, e cila ka treguar me detaje ngjarjen që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, ku Stiven Toshkezi 20 vjeç humbi jetën nga dy adoleshentë 18-vjeçarë.

Ai u kap në një cep të rrugës, në lagjen ku jetonte dhe u gjuajt disa herë me thikë. 20-vjeçari nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra, duke ndërruar jetë në spital.

“Krimi i radhës ndodhi në rrugën e Dibrës, në kryeqytet ku humbi jetën 20-vjeçari i identifikuar si Stiven Toshkezi. Ai u konfliktua me dy bashkëmoshatarët e tij, dy 18-vjeçarë të identifikuar si Enzi Maze dhe Axel Hoxhaj. Ata kishin një konflikt për motive të dobëta për një vajzë. 20-vjeçari ishte i lidhur me një vajzë e cila ngacmohej prej një nga 18-vjeçarëve.

Kjo ka ndezur një konflikt mes tyre dhe para dy javësh, në Rrugën e Elbasanit, ata kanë pasur një konfrontim fizik me njëri-tjetrin i cili u shua aty për aty, por mesa duket inati i adoleshentëve zgjati dhe i bënë pritë në lagjen ku jetonte 20-vjeçari, pranë gjimnazit Partizani, rreth orës 00:30 pas mesnante. E kapën në një cep të rrugës, e kanë qëlluar disa herë me thikë dhe ai ka mbetur i plagosur rëndë. Është dashur ndërhyrja e dëshmitarëve okularë në vendin e ngjarjes që njoftuan edhe prindërit e 20-vjeçarit dhe në spital rezultoi që ndërroi jetë.

Në fakt ishte shumë tronditëse, unë kam biseduar me një punonjësit e policisë që asistoi në spital për të marrë dëshmitë e para të prindërve dhe komunikimi që ai më tregoi se prindërit kishin pasur me njëri-tjetrin, ku e kishin të pamundur të besonin që fëmija i tyre kishte ndërruar jetë, ishte vërtet tronditëse dhe për këtë më vjen keq, që shohim shohim gjithnjë e më shumë të rinj që janë pre e drogës, e konflikteve, armëve, shohim dhe konflikte dhe më banale në rrjete sociale siç ndodhi para dy ditësh në Durrës”, u shpreh gazetarja Dorjana Bezati.

Top Channel